Soue humb Partizanin, nuk shkon dot në Serbi

Sulmuesi ka pësuar tërheqje dhe nuk luan të hënën, ndoshta edhe ndaj Kukësit. Klubi ishte gati ta çonte te Marjana, por lojtari ska dokumentacionin e duhur

Leonard Trebicka

Skënderbeu po vuan problemet e dëmtimeve në këto javë të fundit dhe në një farë mënyre është mësuar, por dëmtimi i fundit është nga ata që shqetësojnë shumë. Mungesa e madhe e korçarëve në ndeshjen e së hënës ndaj Partizanit do të jetë ajo e sulmuesit Ali Soue, i dëmtuar në ndeshjen e kupës me Flamurtarin. Në minutat e fundit të ndeshjes Soue ka lënë fushën shumë i mërzitur, pasi ndjente dhimbje, ndërsa dje është mësuar se sulmuesi ka pësuar një tërheqje muskulore. Soue është paraqitur në spitalin Salus në kryeqytet, ku ka kryer ekon, ashtu si Xhejms pak ditë më parë. Ortopedët italianë kanë parë që edhe Soue ka një tërheqje gati identike me atë të Xhejmsit dhe pritet të qëndrojë 10 ditë larg fushave, lajm që ka shqetësuar jo pak stafi teknik të Skënderbeut. Trajneri Daja do ti bëjë llogaritë e ndeshjes ndaj Partizanit pa Souenë dhe Xhejmsin, por i pari mund të ketë humbur edhe Kukësin në Korçë. Dy ndeshje shumë të rëndësishme pa sulmuesin kryesor e kanë alarmuar stafin e Skënderbeut.

MARJANA – Por dje ka ndodhur diçka vërtet e çuditshme, pasi është mësuar se Ali Soue ka dëmtim serioz dhe do të mungojë 10 ditë, duke humbur dy ndeshjet e rëndësishme me Partizanin dhe Kukësin. Drejtuesit e klubit korçar u bënë gati ta çonin sulmuesin Soue në Serbi, te fizioterapistja e njohur Marjana, e cila ka riaftësuar në kohë rekord disa lojtarë të Skënderbeut. Soue duhej të nisej sot drejt Serbisë dhe me dy ditë terapi do të ishte gati ndaj Partizanit, por kjo pistë ka rënë poshtë. Afrikani nuk ka pasur dokumentacionin e duhur për të udhëtuar për në Serbi. Drejtuesit e klubit janë mërzitur shumë, kur kanë mësuar këtë problem, sepse Soue nuk ka mundësi të shkojë te fizioterapistja e njohur, duhet të qëndrojë në Shqipëri dhe të presë 10 ditët e rikuperimit. Ali Soue edhe në fillim të këtij sezoni u rikuperua në kohë rekord te Marjana e famshme, ku kanë shkuar edhe shumë lojtarë të tjerë të Skënderbeut. Mungesa e tij ndaj Partizanit dhe Kukësit sigurisht që është një humbje e madhe për korçarët.

XHEJMS – Një tjetër mungesë e rëndësishme në vijën e parë të sulmit të Skënderbeut është ajo e Xhejms Adenijit. Nigeriani mungoi në Vlorë dy ditë më parë, për shkak të tërheqjes që ka pësuar, por do të mungojë edhe ndaj Partizanit. Shpresat janë që të kthehet në ndeshjen me Kukësin. Dy mungesa shumë të rëndësishme për Skënderbeun në sulm, ku Soue dhe Xhejms nuk janë në dispozicion të stafit teknik. Mbetet për tu parë cila do të jetë zgjidhja e Dajës për të hënën.

SHEHI – Në ndeshjen e fundit në Vlorë, kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi, ishte gati dhe qëndroi në stol. Trajneri Daja nuk ka dashur ta rrezikojë, pasi dëshiron që veterani të luajë vetëm kur të jetë 100% gati. Është e sigurt që edhe ndaj Partizanit portieri Shehi do të jetë në stol dhe ndaj Kukësit një javë më vonë mund ta shohim në fushë. Të gjithë te Skënderbeu mezi e presin rikthimin e Shehit, por edhe ndaj Partizanit nuk do të rrezikohet.

DITA – Ndërkohë që tre lojtarë e kanë të sigurt mungesën të hënën, një lajm i mirë është rikthimi i Bruno Ditës. Mesfushori ka dy ndeshje që nuk është në dispozicion të trajnerit Daja, për shkak të një tërheqjeje, por që dje mësohet se Dita ka kryer rregullisht stërvitje me grupin. Sigurisht që nuk është në 100% të formës së tij, por të hënën me shumë gjasa do të jetë në stol. Ndoshta edhe mund të sakrifikohet për të qenë në fushë nga minuta e parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online