“Sot treguam dëshirë dhe grintë”! Hallaçi flet pas barazimit me Teutën: E kam bindje, Kukësi nuk bie nga Superiorja

Kukësi dhe Teuta kanë luajtur në orën 15:00. Një ndeshje që pritej të zhvillohej me emocione të mëdha, duke ditur se të dyja ekipet e kërkonin fitoren me patjetër. Megjithatë në fund nuk pati gola.

Skuadrat janë ndarë në barazimin 0-0. Kukësi e kërkoi më shumë golin në pjesën e parë, me Pano Qirkon që në disa raste u shndërrua në heroin e Teutës. Durrsakët kërkuan të afroheshin me portën nga krahu tjetër, por pa rezultat. Në fund Kukësi mbetet në vendin që të dërgon në Play Out. Ndërkohë Teuta është ende në zonën e rrezikut dhe humb mundësinë për t’iu afruar më shumë Europës pas këtij barazimi. Pra një barazim që nuk i shërbeu askujt. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Hallaci: “Tentuam të fitonim me të gjitha mënyrat, dolëm në fund edhe me dy sulmues të deklaruar. Vuajmë te finalizimi, por sot treguam dëshirë, grintë dhe luftë sportive. Sigurisht që nuk e kemi bërë ndeshjen perfektë se do të kishim fituar. Kishim presion pasi nëse do të pësonim gol do të ishte fatale. Nuk do të dorëzohemi deri në fund, unë kam bindjen se Kukësin do ta shpëtojmë nga rënia. Ne kemi pak lodhje fizike”.

Martini: “Kishim shumë mungesa sot, e kishim përgatitur ndeshjen për të mos e humbur. Kukësi kishte raste më të pastra, ne kishim mundësitë tona gjithashtu. Në fund jam i kënaqur me një pikë. Djemtë treguan karakter, luftuan fortë dhe unë jam i kënaqur. Mund edhe ta kishim fituar ndeshjen në fund”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *