“Sot nuk pati rregull e as fait-play”, Partizani denoncon dhunën në Laç: Të vihen para përgjegjësisë shkaktarët

Klubi i Partizanit ka vendosur të dalë me një deklaratë për shtyp pak minuta më parë në lidhje me atë çfarë ndodhi në ndeshjen e sotme në Laç. Trajneri i portierave, Ilir Bozhiqi, ra pre e dhunës në fund të ndeshjes dhe një akt i tillë dënohet nga të kuqtë. Përmes reagimit të tij, Partizani denoncon dhunën verbale dhe fizike të ushtruar nga tifozët e pranishëm, si dhe kërkon ndjesë për të gjithë ata persona që u është dashur të dëgjojnë fyerje të tilla apo edhe të shohin pamje dhune nëpërmjet televizionit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

DEKLARATË

Të gjithë mezi po presim rikthimin e tifozëve në stadium por JO KËSHTU! Partizani gjithmonë ka kërkuar të luajë brenda respektit të rregullave të mikpritjes dhe ndershmërisë sportive dhe gjithçka t’ja lërë fushës së blertë. Sot nuk ka patur as rregull as fairplay dhe mbi të gjitha as qytetari. Jashtë çdo etike skuadra dhe stafi ynë është fyer për gjatë gjithë ndeshjes me një fjalor të turpshëm dhe të papranueshëm nga tifozët në tribunë.

Megjithëse thjesht pjesmarrës dhe jo faktorë, në këtë moment ndjejmë përgjegjësinë të kërkojmë ndjesë ndaj të gjitha nënave e motrave, fëmijëve e të rritureve që kanë dëgjuar nëpërmjet ekranit sharjet e panumërta dhe mungesën e theksuar të etikës. Në të njejtën kohë përgëzojmë skuadrën dhe stafin që pavarësisht dhunës verbale konstante, tregoi karakter dhe arriti të menaxhonte një ndeshje futbolli në kushte ekstreme. Gjithashtu dënojmë në mënyrë absolute dhunën fizike në tribunë dhe fushë e sidomos atë që u pa në tv, goditjen me shishe në kokë në drejtim të trajnerit të portierëve tanë Ilir Bozhiqi nga tifozët.

Distancohemi dhe dënojmë këto incidente që po prishin dhe mbase edhe po cënojne garën e fortë dhe të bukur që futbolli në vend po ofron këtë vit me shpresën se episode të tilla mos tolerohen e mos përsëriten më.

Për këtë arsye i bëjmë thirrje si Federatës Shqiptare të Futbollit ashtu dhe Policisë së Shtetit të investigojnë dhe vënë para përgjegjësisë shkaktarët e këtyre akteve, si dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme organizative për mbarëvajtjen e aktiviteteve sportive dhe shmangien e rasteve të tilla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *