Është mbyllur në barazim pa gola supersfida e javës së 16 të “Abissnet Superiores”. Nuk ka pasur fitues në klasiken e Shqipërisë mes Tiranës dhe Vllaznisë. Shkodranët kanë qenë dominues përgjatë 90 minutave, por në fund u mungoi goli për të kurorëzuar me fitore përpjekjet e bëra në fushën e lojës. Pas përfundimit të ndeshjes protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Gol pas Goli” në “SuperSport”.
Shehi (Tirana): “Nuk ishim aty ku duhet. Kjo është edhe normale deri diku, sepse skuadra kur vjen pas pauzës nuk ka formën e vetë maksimale. Na mbetet për të punuar dhe për të sjellë skaudrën sa më shpejt në formën optimale. Në futboll ka edhe ditë të keqe dhe kjo ishte një nga ditët e këqija të tonat. Sot kemi vuajtur, në futboll ka edhe vuajtje. Sa i përket Ngosë, sigurisht që ndikon. Nuk arritëm të sillnim De Silvën në formën e duhur. Ishte presion i madh, sepse luajtëm ndaj një kundërshtari që nuk ka çfarë të humbasi. Janë kundërshtarë për titull, pavarësisht se janë 8 pikë larg. Sot ata dhanë gjithçka për gjithçka, ndërsa ne jemi në një pozicion më të favorshëm në renditje”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/