“Sot i quaj djemtë e mi burra të vërtetë”, trajneri i sherifit për eliminimin e Crvenas:  Mos të ma marri Zvezda për ofendim, por…

Sherifi i Tiraspolit bëri mbrëmjen e sotme një arritje historike, teksa ka eliminuar Crvena Zvezdën për të zënë kështu një vend në “play off” të Champions League. Trajneri i skuadrës që eliminoi Teutën në turin e parë kualifikues të kompeticionit më të lamuar për klube është shprehur për faqen zyrtare të klubit se lojtarët e tij janë treguar sot burra të vërtetë. Sipas Juri Vernidumit, Sherifi e meritonte më tepër kualifikimin.

“Mendoj se ishte një lojë shumë e mirë sot. Një lojë e nivelit evropian, nuk kam frikë nga kjo fjalë. Ne luajtëm me një kundërshtar shumë të fortë, pjesëmarrës të rregullt në fazën e grupeve të Champions League dhe Europa League. Ne kemi përballuar detyrën tonë. E analizuam ekipin e Crvena Zvezdës shumë mirë. Ata bënë atë që duhej të bënin.

Sot unë mund t’i quaj djemtë e mi burra të vërtetë, një ekip i vërtetë që luftoi për rezultatin. Ekip i cili me të vërtetë dëshiron të shkojë më tej. Ne kemi përfunduar detyrën minimale. Por unë me të vërtetë dua dhe shpresoj që ata me të vërtetë duan të hyjnë përfundimisht në grupin e Champions League.

Sipas mendimit tim, nëse e marrim lojën në përgjithësi, meritonim të fitonim më shumë. Lëreni klubin e Crvena Zvezdës të mos ma marri për ofendim, ne e donim (fitoren) më shumë. Kishim më shumë raste, shënuam golin tonë dhe kishte mjaft kundërsulme në të cilat duhej të shënonim. Unë mendoj se ne e meritojmë këtë fitore sot”, ka deklaruar Juri Vernidum./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *