“Sot hymë pa presion, i thashë çunave që ta shijonin”, Tetova flet për finalen: Me Partizanin do të jetë e bukur

Egnatia është finalistja e dytë e “final four”-it. Rrogozhinasve u ka mjaftuar një barazim 0-0 mbrëmjen e sotme për të kaluar me sukses në finale. Skuadra e Edlir Tetovës ka eliminuar në “Air Albania” Vllazninë, në një përballje që përfundoi me rrjeta të paprekura. Rrogozhinasve iu anulluan dy gola gjatë takimit. Fillimisht Zejnullahi shënoi një gol nga jashtë zone në pjesën e parë të lojës. Por festa ngriu shpejt. VAR-i ndërhyri dhe arbitri shkoi të shihte në monitor pamjet. Pas një prekjeje të topit me dorë, gjyqtari vendosi të anullonte golin.

Ndërkohë, në minutën e 78 ishte Montenegro ai që e dërgoi topin në rrjetë, por dukshëm kishim të bënim me një pozicion jashtë loje. Ndeshja përfundoi në baraspeshë 0-0, duke i dhënë biletën e finales Egnatias. Rrogozhinasit do të përballen me Partizanin më 26 maj, në një duel që do të përcaktojë fituesin e edicionit 2023/24 të “Abissnet Superiore”-s. Pas përfundimit të sfidës, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Tetova (Egnatia): “Ne e kishim përgatitur ndeshjen për ta sulmuar Vllazninë. Ndonjëherë dy rezultatet që ke në favor të kthehen mbrapsht. Në 20 minutat e dyta të pjesës së parë i kërkova skuadrës që nuk kemi përse nxitojmë te qarkullimi i topit. Shkodra nuk po na vinte në presion. Por doza e emocionit është e fortë në këto lloj ndeshjesh. Nuk kem hyrë fare me presion në këtë 90 minutësh. I kam kërkuar çunave që vetëm të luajnë për t’u argëtuar. Me Partizanin do të jetë një finale e bukur për t’u shijuar nga të gjithë. Nuk pata shpërthim emocional pas kualifikimit? Shpresoj që të gëzoj në finale. Nuk morëm trofe sot”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/