“Sot është një mesazh i madh për popullin shqiptar“, Boban përshëndet projektin e FSHF-së: Një mesazh për një shoqëri që po bëhet egoiste

Zvonimir Boban ishte pranishëm mbrëmjen e sotme në lançimin e projektit më të fundit të FSHF-së, “Uniforma Ime“. Ish-futbollisti i Milanit, tashmë rolin e drejtorit teknik të UEFA-s ka folur përpara të pranishmëve, duke vlerësuar këtë nismë të Federatës Shqiptare. Boban përcolli gjithashtu përshëndetjet e presidentit të UEFA-s, Ceferinit, ndërsa më tej u shpreh se mesazhi shkon përtej disa uniformave për fëmijet. Mesazhi është se duhet menduar për të tjerët në këtë shoqëri që gjithnjë e më tepër po drejtohet nga egoizmi.

“Mirëmbrëma! Para se të shihja protokollin pyeta presidentin Duka se kë duhet të përshëndesja në fillim. Ai më tha të përshëndesja fëmijët të parët. Një përqafim të madh për të gjithë fëmijët, edhe nga presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferini, i cili donte shumë që unë të vija këtu. Edhe unë jam këtu me një dashuri të madhe. I dashuri president, i dashur miku im Armand. E nderuara Ministre e Sporteve dhe i nderuar Mavraj, ish-futbollist shumë i njohur. Sot është një mesazh i madh për të popullin shqiptar.

Nuk është çështje dhurate për fëmijët, nuk janë thjesht veshje sportive këto që po shpërndahen sot. Mesazhi është shumë më i madh. Mesazhi është për të menduar për të tjerët. Mesazhi është se futbolli është sporti i të gjithëve. Ky është një mesazh për një shoqëri që po bëhet gjithmonë e më shumë egoiste, gjithmonë më e izoluar. Federata po bën një gjë shumë të madhe për Shqipërinë dhe jep një mesazh të fortë altruizmi që futbolli është për të gjithë”, është shprehur Zvonimir Bobani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *