FSHF lançon projektin “Uniforma Ime“, Duka: Investojmë 1.5 milionë euro për 15 mijë fëmijë, të bëjmë ligje së bashku për të ardhmen e sportit

FSHF ka organizuar sot në stadiumin “Air Albania“ një ceremoni për lançimin e projektit më të fundit, “Uniforma ime“. Federata Shqiptare do të financojë bazën materiale për 15 mijë fëmijet që luajnë futboll në territorin e Shqipërisë. Një investim që kap shifrën e 1.5 milionë eurove dhe që ka si synim të nxisë aktivizimin e fëmijëve në sport. Presidenti i qeverisë shqiptare të futbollit ka mbajtur një fjalim përpara të pranishmëve në “Air Albania“, ku ndër të tjera gjendeshin edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, dhe legjenda e njohur e Milanit, Zvonimir Boban. Duka ka shpalosur vizionin e tij për të ardhmen e futbollit në Shqipëri, ndërsa në fund ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qeversë për të çuar përpara sportin nëpërmjet projekteve të përbashkëta.

“Të dashur futbollistë dhe futbolliste, të dashur prindër, të nderuar drejtues klubesh dhe akademish futbolli, mirëmbrëma! Më lejoni fillimisht që në emër tuaj të falenderoj dhe ti uroj mirëseardhjen miqve speciale që na kanë nderuar në këtë mbrëmje festive, domethënëse dhe shumë të bukur, Ministren e Arsimit dhe Sportit, zonjën Evis Kushi, legjendën e futbollit europia, yllin  e Milanit dhe sot drejtor teknik të UEFA-s, Zvonimir Boban, ish-kapitenin e ekipit tonë kombëtar, një nga figurat dhe kontribues në kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2016, Mërgim Mavrajn. Në fakt mbrëmja e sotme është vërtetë shumë emocionuese për mua. Kurrë në jetën time nuk kam parë kaq shumë futbollistë të rinj e futbolliste të reja bashkë në një stadium. Jo për një ndeshje futbolli, por për të lançuar një projekt, një projekt të së ardhmes.

Është një nga ato mbrëmje që të detyron të kthesh kokën mbrapa dhe të shikosh udhëtimin që ke bërë, ku jemi nisur dhe ku kemi arritur. Për rritjen e futbollit, për arritjen e zhvillimit të qendrueshëm në futbollin shqiptar. Jemi rritur e përmirësuar duke patur në qendër të projektit tonë fëmijët, ekipet kombëtare dhe infrastrukturën. E ardhmja e një kombi janë fëmijët, e njëjtë logjikë është edhe në futboll. Pa ta futbolli do të vd.iste. Pa ju që jeni në këtë stadium futbolli nuk mund të projektojë të ardhmen, ashtu si edhe kombi. Prandaj fokusi jonë kryesor, buxheti jonë kryesor, projektet tona kryesore janë të përqendruar te ju, për të ardhmen dhe konsolidimin e futbollit në Shqipëri. Qëllimet strategjike që ne shpalosëm disa muaj më parë për ndokënd ishin të pabesueshme, elektorale, të paarritshme. Por ja ku jemi sot këtu përpara faktit. Disa kanë marrë, disa po vazhdojnë të marrin uniformat falas për t’u stërvitur dhe për të bërë ndeshjet e këtij sezoni.

Qëllimet strategjike tonat janë gjithmonë fëmijët dhe femrat. Uniforma ime tani është një realitet i prekshëm për 15 mijë fëmijë në tërë Shqipërinë, që luajnë futboll, dhe për familjet e tyre. Për çdo familje sot që ka një fëmijë që luan futboll dhe ata që dëshirojnë fëmijë të edukuar sportivisht, sot do të shpenzojnë 0 lekë për të gjithë bazën materiale të nevojshme për zhvillimin e stërvitjes dhe ndeshjeve gjatë këtij sezoni futbollistik. Secili nga jush ka uniformën e lojës falas, uniformën e stërvitjes, tutat e përfaqësimit, çantën e gjithçka i duhet për sezonin. FSHF është një partner i madh i familjeve shqiptare për të minimizuar kostot e atyre që duan ti plotësojnë ëndrrën fëmijëve të tyre për tu bërë futbollist. Ne e ideuam këtë projekt me një detyrim që ndjejmë për këdo që kalon rininë e tij duke bërë sport. Vit pas viti po mundohemi ta bëjmë koston 0.

Jemi e vetmja Federatë në botë që prej 7 vitesh i japim topa falas çdo ekipi dhe çdo fëmije që luan futboll në territorin e Shqipërisë. Që prej 5 vitesh kemi marrë përsipër financimin e gjithë zyrtarëve arbitra, duke i hequr peshën çdo klubi dhe prindi, dhe sot hoqëm këtë kosto madhore, bazën materiale. Të gjitha këto projekte me një qëllim, për të bërë akoma më popullor e më me pak kosto për familjet futbollin, lojën më të bukur të shqiptarëve dhe të gjithë botës. Uniforma ime, me kosto vjetore 1.5 milionë euro, financuar 100% nga buxheti i FSHF-së, i prezantuar në gjithë Shqipërinë, sot bëhet i prekshëm. Padyshim që projekti do të përsëritet në gjithë sezonet e ardhshme. Ky projekt është padiskutim një ndër më të bukurit, më të rëndësishmit që kemi realizuar në këto vite. Kjo, sepse i përket totalisht futbollit të fëmijëve, të ardhmes sonë. Nuk do të ndalemi në asnjë moment për të krijuar ambientin perfekt për çdo vazjë dhe djalë që dëshiron të luajë futboll në Shqipëri. Kjo është në themel të punës sonë të përditshme dhe ne jemi koshient se po ecim në rrugën e duhur. Ne i dimë detyrimet tona, të cilat shkojnë në shumë raste përtej mundësive. Por e dimë se sa e rëndësishme është për çdo nënë e baba që t’i sigurojë fëmijës së vetë mundësinë për të luajtur sportin më të dashur të shqiptarëve.

Për të realizuar ëndrrat e fëmijëve tanë për kushte më të mira sportive, padyshim që duhet të kapemi dorë për dore, të bashkojmë idetë, forcat, financat, kryesisht me qeverinë shqiptare, me UEFA-n, me FIFA-n. Ne kemi një eksperiencë fantastike për këtë. Në bashkëpunim me qeverinë ne krijuam të parën arenë kombëtare në Shqipëri, me të cilën pedaluam në Euro 2016. Gjithashtu ndërtuam stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, stadiumin e Kukësit dhe në fund të këtij muaji, me donador kryesor presidentin e FIFA-s dhe me Kryeministrin e Shqipërisë do të inagurojmë edhe Shtëpinë e Futbollit. Por rruga jonë vazhdon, bashkëpunimi jonë duhet të vazhdojë për të mirën tuaj të dashur fëmijë.

Për më shumë fusha, të bëjmë së bashku më shumë ligje që sigurojnë të ardhmen e sportit. Paratë e hedhura në sport nuk janë shpenzim, janë investim i kthyeshëm. Madje, më të kthyeshëm se shumë degë të tjera të ekonomisë. Eksperienca që kam, më ka mësuar se vetëm puna dhe besimi te objektivat bën të arritshëm çdo finish të largët. Ne udhëhiqemi nga një memorie e fortë, nga vlera dhe parime të shenjta që na nxisin çdo mëngjes për të vendosur një tullë në këtë godinë të madhe të futbollit tonë. Ju falenderoj të gjithëve. Ju uroj nga zemra një sezon të mbarë futbollistin dhe shëndet të plotë në të gjithë familjet tuaja“, ka deklaruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online