Alban Bushi ka shpallur sot listën me 23 lojtarët që do të ketë nën urdhërat e tij për ndeshjen e muajit shtator kundër Zvicrës U21. Kombëtarja Shpresa do të luajë përballë helvetëve në transfertë më datë 6 shtator, duke nisur nga ora 19:30. Trajneri i Shqipërisë U21 është paraqitur sot përpara gazetarëve në konferencë për shtyp, për t’ju përgjigjur pyetjeve të tyre në lidhje me emrat e përfshirë në listë, si dhe në lidhje me ndeshjen e radhës, të vlefshme për kualifikueset e EURO Sllovaki 2025.
“Matematikisht jemi ende në lojë. I kemi të gjitha shanset për të marrë rezultat në Zvicër. Kanë ngelur 2 ndeshje për ne, 4 për Zvicrën. Duhet të shpreojmë deri në fund, sepse në futboll asnjë herë nuk i dihet. Ata kanë Rumaninë afër. Presioni është mbi ta, jo mbi ne. Ne sot duhet të kishim 15 pikë. Pengu është që nuk fituam me Finalndën këtu, që duhet ta fitonim, dhe me Malin e Zi, që e meritonim ne ndeshjen. Duhet ta kuptojnë lojtarët që ato 5 pikë duhet të ishin të tonat dhe kemi qenë afër kualifikimit. Nuk duhet ta ulim kokën asnjëherë, edhe përpara këtyre kundërshtarëve kaq të mëdhenj. Por mund të shkojmë 13 pikë pas kësaj ndeshjeje dhe pastaj e kemi me Armeninë këtu. Jemi ende në lojë.
Kemi bërë ndeshje interesante, por kemi pasur edhe vend për përmirësime kur kemi bërë ndeshje të dobta. Këta janë lojtarë të rinj, lojtarë të vegjël. Çdo minutë e luajtur këtu, është një eksperiencë për të shkuar te ekipi A. Jo më kot Medon Berisha, që është lojtar shumë i mirë, tashmë është pjesë e ekipit A. Por mendoj që edhe 2-3 vetë, të cilët do të jenë me ne të dielën, sezonin e ardhshëm mund të jenë pjesë e ekipit A të Kombëtares”, ka deklaruar Alban Bushi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/