Në vitin 1999, si futbollist ishte autori i golit të fitores 2-1 që Mançester Junajtid realizoi përballë Bajernit në finalen e Champions League. Një përmbysje e pabesueshme në sekondat e fundit, tek e cila askush nuk besonte. Ai episod është i skalitur në memorien e Ole Gunar Solskajer, që edhe tashmë si trajner nuk ia lejon vetes të mendojë se një ndeshje cilësohet e mbyllur, pavarësisht fitores 3-0 në takimin e vajtjes.
“Asgjë nuk ka përfunduar, në futboll mund të ndodhë gjithçka. Kemi ardhur të bëjmë lojën tonë. Në ndeshjen e parë treguam forcën tonë, ndërsa për këtë përballje na janë kthyer disa lojtarë të rëndësishëm”, tha 45-vjeçari. Moti i nxehtë i këtyre ditëve në Shqipëri mund të jetë një problem për skandinavët e pamësuar me temperatura kaq të larta.
Solskajer gjithsesi nuk pranon justifikime dhe kërkoi të tregojë se Molde është e përgatitur: “Kushtet atmosferike natyrisht që janë një sfidë. Por, për fat të mirë klima ka qenë e njëjtë edhe në Norvegji. 35 gradë është një temperaturë e lartë për të luajtur futboll, por ajo vlen për të dyja ekipet. Do t’ia dalim!”. Në fund ish-sulmuesi norvegjez vlerësoi skuadrën e Laçit, ndërsa nuk kurseu as lëvdatat për dy individë të veçantë, sulmuesin Myrto Uzuni dhe portierin Gentian Selmani.
“Laçi është një skuadër e vështirë për t’u thyer, e cila i zbaton me përpikmëri detyrat e trajnerit. Në ndeshjen e parë na vendosën në vështirësi në disa raste. Shpresojmë ta dominojmë lojën edhe pse nuk është e thjeshtë”, tha Solskajer, që vazhdoi: “Një apo dy lojtarë të Laçit janë mjaft cilësorë. Numri 10, Uzuni dhe portieri Selmani m’u dukën futbollistë vërtetë interesantë”.