Revolucioni i Partizanit po rezulton dështim, por edhe Kukësi duket se ka gabuar që ka ndryshuar kaq shumë. Ndoshta do të duhet më shumë kohë nga sa mendohej për të rikrijuar boshtin…
Kukësi u mund dje, nga Skënderbeu, rivali më i kompletuar i viteve të fundit. Sezonin e fundit triumfoi Kukësi, për herë të parë në disa vite duel, por nëse dita e mirë duket që në mëngjes, këtë sezon Kukësi nuk është në lartësinë e Skënderbeut dhe zor se do t’i qëndrojë pas për shumë kohë. Humbja e djeshme ishte e rëndë në shumë drejtime, pasi Skënderbeu luajti më mirë, shënoi dy gola dhe golin e vetëm e pësoi me një penallti të dhuruar nga arbitri (sërish protagonist arbitri në Kukës!).
Një humbje është normale, nuk ka pse të flitet për krizë e për reprezalje, por ajo që bie në sy është diçka tjetër: Kukësi që luajti dje ishte thuajse i ndërtuar nga e para, në krahasim me sezonin e shkuar. Ku shkoi shprehja e famshme në futboll: skuadra që fiton nuk ndryshohet? Në plehra, në rastin e Kukësit, sepse dje ishin vetëm 4 titullarë nga ekipi i titullit kampion!
Koliçi, Hallaçi, Alla e Musolli: këta ishin lojtarët liderë të sezonit të fundit, që kanë mbetur në formacion, ndërsa Shameti mungonte për dëmtim. Të tjerët? Kale erdhi në janar dhe gjysmat e ndeshjeve i nisi nga stoli, ndaj nuk ishte një pikë kyçe, ashtu si Guri, që luajti shumë pak ndeshje titullar, edhe për shkak të moshës së re. Dje ishin titullarë Imami, rezervë e Rrumbullakut që prej ardhjes së këtij të fundit, si dhe Hoxha, Kërkotiç, Bakaj e Alijev. Edhe në stol ishin thuajse të gjithë lojtarë të ardhur në verë, me përjashtim të Rrumbullakut, i cili duket i braktisur nga Milinkoviç.
Duket se Partizani e Kukësi nuk venë mend: për të thyer Skënderbeun nuk mjafton një sezon plot investime, duhet edhe vazhdimësi, fjalë që me sa duket e kanë mësuar përmendësh vetëm në Korçë dhe renditja e 4 javëve të para flet vetë.
O gazetar rromllakja ka qen per her ne stol ska lujt futboll nej her