Vendi i fundit në renditje dhe largimi i trajnerit Plori kanë bërë që te Kastrioti t’ia besojnë stolin një eksperti. Drejtuesi i ri do të jetë Stavri Nica, tekniku i mirënjohur durrsak, i cili do të ketë detyrën të rikthejë skuadrën në garë, duke qenë se kanë mbetur edhe tre faza të kampionatit.
Shanset matematike janë dhe në këtë kuadër eksperienca e Nicës duket një garanci, për të rikthyer sezonin në binarët e duhur, me krutanët që do të kërkojnë të luftojnë deri në fund për mbijetesën. Nuk do të jetë aspak e lehtë, por në duart e 64-vjeçarit, Kastrioti pritet të jetë një skuadër krejt e ndryshme.
Në anën tjetër, Stavri Nica e ka marrë këtë si një sfidë personale. Vetëm pak ditë më parë, trajneri u largua nga Burreli, ekip me të cilin nisi edicionin. Kastrioti do të jetë skuadra e tij e dhjetë, në harkun e katër viteve të fundit. Aventura afatshkurtra ato të fundit: me largime mes polemikave apo që kanë shkaktuar befasi në opinion.
Por, pavarësisht të kaluarës së afërt dhe situatave kontroverse, te Kastrioti vendosën t’i besojnë eksperiencës së durrsakut, që ka treguar se në rrethanat e duhura mund të bëjë punë të mirë. Nica rikthehet në Kategorinë Superiore, aty ku mungonte prej tetë muajsh, menjëherë pas largimit nga ekipi i tij i vendlindjes në shkurt të këtij viti, me Teutën që pas startit shumë të dobët të kampionatit, më pas arriti të siguronte mbijetesën me trajnerin Gentian Begeja në stol.