Skols kujton rininë: Alkool nga e enjtja deri të dielën!

Një ndër futbollistët më të mirë në historinë e Mançester Junajtid, Pol Skols, ka dhënë një intervistë të gjatë ditët e fundit për ESPN, ku natyrisht bujë kanë bërë kritikat e tij për Junajtid (“Edhe Mesi do vuante te ky ekip; Sançez u ble vetëm që të mos shkonte te Siti; Junjatid po bën gabimet që ka bërë Liverpuli në dekadat e fundit).

Ndërkaq, ish-mesfushori legjendar ka kujtuar edhe vitet e adoleshencës dhe rinisë, para se të bëhej futbollist profesionist dhe ta kuptonte se futbolli ishte mënyra e vetme për të ndërtuar të ardhmen dhe siguruar të ardhura të mjaftueshme për të qenë i qetë edhe pas largimit nga futbolli.

“Isha një tifoz i thekur i Junajtid, për më shumë isha edhe djalë i zonës, ndaj isha gjithnjë në ndjekje të ekipit, ishte pjesë e kulturës në atë epokë. Të vajturit në Old Trafford i ngjante një misioni, duhej shkuar patjetër, edhe në ndeshjet më pak të rëndësishme. Mbaj mend një ndër eksperiencat e mia të para, me babain tim. Shkuam të shihnim një ndeshje kundër Çelsit dhe jashtë stadiumit plasi grushti. Më shpëtoi nga frika! Babai më mori dhe ia futëm vrapit, aq sa humbi edhe njërën këpucë rrugës”, tregon Skols, sikur të bëhej fjalë për skena filmash me huliganët e famshëm britanikë të viteve ’80.

ALKOOL PA FUND – Stili i jetesës që bënte Skols ishte shumë larg atij të futbollistit model: “Pija nga e enjtja deri të dielën, ndonjëherë edhe të hënën. Pija edhe para ndeshjeve. Ishte pjesë e një kulture, ku duhej të pije shumë gjatë ndeshjeve, por edhe rrugës për në ndeshje, apo gjatë kthimit.

“E di që gjëra të tilla ndodhin ende, sepse kam shumë miq që shkojnë në stadium. Do të më pëlqente të shkoja me ta, të isha një tifoz i thjeshtë, por nuk besoj se do ishte e lehtë. Megjithatë, nuk është ambienti i përshtatshëm për dikë që dëshiron të bëhet futbollist. Kur kombëtarja U-18 më grumbulloi, mendova ‘unë pi, jam mbi peshë, duhet të kthehem në formë’. Duhej të largohesha nga ai ambient dhe për miqtë e mi nuk ishte problem”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *