Quhet Martin Nespor, është 27 vjeç dhe prej sot është sulmuesi i ri i Skënderbeut.
Sulmuesi çek, i cili në të shkuarën ka qenë pjesë e Spartës së Pragës, është transferuar te Skënderbeu, duke lënë klubin e tij polak Zaglebie, ku kishte luajtur 4 ndeshjet e para të kampionatit polak, me dy gola të shënuar. Sezonin e shkuar, te Zaglebie, Nespor shënoi 4 gola në 25 ndeshje kampionati, duke pasur rënie krahasuar me një vit më parë, kur shkëlqeu te Piast Gliuice, me 11 gola në 33 ndeshje.
Drejtuesit e Skënderbeut kanë zyrtarizuar për “Sport Ekspres” transferimin e fundit veror, duke hequr dorë nga nigeriani i Levskit, Adeniji, për shkak të kërkesave të larta financiare të sulmuesit, sepse me Levskin ishte arritur marrëveshja për 150,000 euro.