Korçarët kanë pak ditë që i janë rikthyer përgatitjeve, me trajnerin e ri Orges Shehi. Synimet janë të qarta, që të ruhet sërish titulli kampion, edhe pse do të jetë jo pak e vështirë, duke ditur se drejtuesit më shumë duhet të fokusohen tek lufta që kanë me UEFA-n. Gjithsesi, nuk lihet pas dore dhe merkato, pasi sot me skuadrën është bashkuar dhe prurja më e re.
Ka ndodhur ashtu siç pritej, Oto Xhon i bashkohet skuadrës së Skënderbeut. Sulmuesi, i cili për dy vite është aktivizuar në Kosovë i bashkohet korçarëve zyrtarisht. Korçarët kanë poseduar kartonin e 30-vjeçarit, megjithatë hapësirat e pakta e kanë detyruar klubin që ta huazojë në Kosovë, ku ka bërë mjaft mirë, duke qenë dhe shënuesi më i mirë në edicionin e fundit.
Lojtari ka dalë sot në stërvitje me skuadrën e Skënderbeut dhe do të jetë pjesë e skuadrës për edicionin e ri. drejtuesit besojnë se Oto Xhon është gati tani që të përfaqësojë skuadrën korçare pas eksperiencës së fituar tek Trepça në Kosovë.