Dënimi i Skënderbeut pati një rekasion negativ në të gjithë futbollin shqiptar, pasi ka ulur ndjeshëm buxhetet e ekipeve në merkato. Korçarët ishin të parët që paraprinin me lëvizje të bujshme dhe afrime cilësore. Rroga të larta dhe futbollistë me CV të frikshme.
Dënimi i tyre nga UEFA solli një reaksion zinxhir në thuajse të gjitha ekipet e tjera. Partizani ka ulur shumë buxhetin vjetor dhe fashën e rrogave. Sezonin e kaluar, të kuqtë shpenzuan pafund, ndërsa sivjet larguan futbollistët me rroga të majme dhe afruan të tjerë nën kosto.
E njëjta gjë ndodhi dhe me Flamurtarin. Vlonjatët kanë vendosur të mos “çmenden” në merkato si vitet e tjera. Bregdetarët nënshkruanin kontrata milionere me futbollistë që nuk i meritonin shifra aq të majme, këtë edicion administratori Sinan Idrizi do të tregohet më i kujdesshëm dhe do të marrë vetëm futbollistë që vërtetë i meritojnë shifra aq të çmendura.
Kamza, Laçi, Teuta po ndjekin filozofinë e futbollistëve të rinj, gërshëtimin e elementit të ri me atë me eksperiencë. Nga krahu tjetër, Kukësi vazhdon me merkaton e fuqishme, ndërsa Tirana dhe Luftëtari janë të kujdesshme.