Në një periudhë kur e ka të vështirë të kompletojë grupin e futbollistëve nën urdhërat e trajnerit Shehi, Skënderbeu ka luksin që të vazhdojë të shesë lojtarë. Në pritje të mësohet e ardhmja e Gavazajt dhe Alitit dhe pas shitjeve të Xhejms e Sahitit, korçarët shitën edhe kartonin e Serxhio Antonio De Luiz Zhunior, i njohur si Serzhinjo. Sulmuesi brazilian i është bashkuar FC Shkupit, skuadrës shqiptare që militon në Ligën e Parë të Maqedonisë.
Klubi e prezantoi 23-vjeçarin përpara nisjes drejt Skocisë, ku do të përballet me Rejnxhërsin në turin e parë kualifikues të Europa Lague. Serzhinjo është blerja e pestë në merkato për skuadrën, që gjatë kësaj vere ka afruar edhe Amir Bilanin nga Teuta dhe Muarem Muarem nga Flamurtari. FC Shkupi falënderoi edhe klubin e Skënderbeut dhe drejtorin sportiv, Haris Fakiç që mundësuan blerjen e kartonit të sulmuesit, me të cilin shpresohet se është rritur cilësia në sulm.
Serzhinjo, që pas eksperiencave të Hajvalia, Skënderbeu, Laçi dhe Rabotniçki do të mbetet në kampionatin maqedonas, nuk e fshehu gëzimin: “Ndjehem i lumtur që vesh fanellën e një klubi të madh siç është Shkupi. Për aq sa kam luajtur në Maqedoni, për mua ka qenë kënaqësi kur përballesha me këtë skuadër, pasi që gjithmonë kishte një atmosferë pozitive. Erdha sepse projekti është i madh dhe shpresoj që sa më shpejt të fitojmë titullin”.