Zëvendësuesi i Liridon Latifit vjen të hënën në Korçë dhe pas firmës në kontratë, do të jetë nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja
Leonard Trebicka
Një tjetër lojtar i ri mund të quhet me plot gojë pjesë e Skënderbeut, edhe pse në fakt nuk ka firmosur ende. Do ta bëjë këtë gjë nesër. Suad Sahiti, ai që konsiderohet zëvendësuesi i Liridon Latifin, i transferuar në Hungari, të hënën pasdite pritet të prezantohet te Skënderbeu dhe më pas do të dalë edhe në stërvitje, për të qenë nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja. Përpara disa ditësh është përhapur lajmi për ardhjen e Sahitit te Skënderbeu dhe gjithçka është konfirmuar më pas nga drejtuesit e tij. Pra, çdo gjë është e përfunduar. Burime pranë klubit bëjnë me dije se Sahiti mund të vijë që sot në mbrëmje në qytetin juglindor, në mënyrë që të jetë gati për nesër. E rëndësishme është që drejtuesit e klubit bardhekuq nuk kanë pritur asnjë minutë dhe pas akordit paraprak me futbollistin në fjalë, e kanë lajmëruar të vijë sa më parë dhe të bashkohet me Skënderbeun. Kujtojmë që Sahiti ka menaxher Shkumbin Qormemetin dhe pa dyshim që ka qenë edhe dëshira e madhe e tij që ai të vijë te Skënderbeu. Me këtë ekip mund të afirmohet dhe shumë shpejt edhe ai mund të shitet në një skuadër tjetër. Sahiti vjen nesër dhe klubi ka bërë gati prezantimin e tij. Pas firmës në kontratë, me shumë mundësi do të kemi konferencën e parë të shtypit të mesfushorit kosovar.
KARRIERA – Në fakt, këtë verë pati shumë spekulime në lidhje me atë që do të zëvendësonte Liridon Latifin, por zëvendësi i tij u gjet shpejt dhe ai është Suad Sahiti. Mesfushori 22-vjeçar ka lindur në Prishtinë dhe që nga viti 2014 luan në Maqedoni për Rabotniçkin, duke qenë një lojtar i rëndësishëm për këtë skuadër. Sahiti ka luajtur 75 ndeshje në 3 sezone, ku ka shënuar 9 gola dhe ka dhënë shumë asiste. Suadi luan në disa pozicione në mesfushë dhe kjo është diçka e mirë, pasi mund të themi që është tipik si Liridon Latifi. Maqedonia e pajisi Sahitin edhe me pasaportë, madje ndoshta në të ardhmen mund ta shikojmë edhe në kombëtaren e shtetit fqinj. Këtë verë Sahiti ka shënuar një gol në Europa League, ku ka luajtur 4 ndeshje për Rabotniçkin, ndërkohë që kalimi te Skënderbeu është vërtet i rëndësishëm për lojtarin në fjalë.
MESFUSHA – Pas mbërritjes Së Suad Sahitit, mesfusha e Skënderbeut plotësohet. Latifi dhe Gavazaj ishin dy titullarët e padiskutueshëm të Skënderbeut në krahë. Me largimin e Afrim Takut para ndeshjeve ndaj Dinamos së Zagrebit, dyshja kosovare përbënte krahët e këtij reparti. Me ardhjen e Sahitit, pritet që Gavazaj ndoshta të kalojë në të majtë, por kjo mbetet për t’u parë. Skënderbeu ka afruar edhe mesfushorin 19-vjeçar nga Etiopia, Biniam Belai Demte, një tjetër forcë për Skënderbeun. Mund të kemi edhe ndonjë përforcim tjetër për krahët e mesfushës, për të mbyllur merkaton, pasi emra lojtarësh kanë kohë që qarkullojnë, por ende nuk ka asnjë gjë zyrtare.