Në pritje të zhvillimeve në lidhje me disa nga veteranët e ekipit, që ende nuk kanë dalë në stërvitje, Skënderbeu punon qetësisht për afrimin e elementëve të rinj.
Një prej tyre është një emër i njohur, nigeriani Oto Xhon, i cili ka kohë që është pronë e Skënderbeut, por nuk ka luajtur në Korçë.
Tashmë 20 vjeç, Oto Xhon ka luajtur në Kosovë te Trepça ’89 për dy sezone, duke shkëlqyer, sepse ka shënuar shumë gola dhe duke u shpallur shënuesi më i mirë i sezonit të fundit, me 17 gola, po aq sa Mirlind Daku.
Tani Xhon kthehet te Skënderbeu dhe “Korça sot” bën të ditur se sulmuesi do të jetë në Korçë këtë fundjavë, që sot. Ai ka qenë në Nigeri me pushime dhe tashmë do të nisë një sezon tepër të rëndësishëm personalisht, sepse ka shansin të tregojë se mund të bëhet ylli i ri i Superiores, pas emrave si Ekuban, Soue, Abazaj, Bregu e Guri, që kanë mahnitur sezonet e fundit.