Analiza nga Anton Cicani
Disa shohin tabelën e renditjes, disa të tjerë shohin kalendarin, por ka edhe nga ata që shohin shumë faktorë. Përpara disa kohësh, ndoshta nga euforia, ish trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, në emision, do të deklaronte se Partizani është po aq i fortë sa Skënderbeu dhe nuk ka asgjë për të pasur zili…
Ndoshta, në fantazinë e “Sulës” kjo gjë mund të jetë reale, por në realitetin ku jetojmë dhe në atë që prekim e shohim, jemi shumë larg. Edhe pse pikët e diferencës mes dy ekipeve janë 8, momentalisht, fakti është që në të vërtetë mes dy skuadrave ka një hendek shumë më të madh. Praktikisht, për të bërë një përngjasim pak banal, diferenca mes Barcelonës dhe Real Madridit është 7 pikë, por skuadra e Zidanit jo vetëm që është një kandidate për të shkuar në finalen e Champions dhe fituar trofeun, por mundet edhe të përmbysë situatën në kampionat.
Motivi? E thjeshtë, grup fitues, organikë e rikonfirmuar, trajner i aftë dhe sidomos asnjë largim “big”. Nga Madridi në Tiranë, udhëtimi me avion mund të jetë i rehatshëm, por situata e krahasuar aspak. Partizani nuk është vetëm 8 pikë larg Skënderbeut, por është larg në filozofi, në projekt dhe në të ardhme. Skënderbeu i besoi trajnerit Daja dhe e rikonfirmoi, i besoi një drejtori sportiv tepër serioz si Fakiç që vazhdon të operojë mirë, por sidomos pagoi dhe mori lojtarë funksionalë, edhe nga Superliga.
Në krahun tjetër, te të kuqtë, ardhja e Moxhit ndryshoi çdo gjë: u dëbuan Mazrekaj dhe Torasa, u sakrifikua Ramadani, nuk u zëvendësua siç duhej Ekuban, por sidomos u mor një trajner që deri në këtë moment më shumë e njohin si futbollist se sa si trajner (madje, disa ende nuk e dinin që stërviste deri sa mbërriti në Tiranë). Erdhën shumë lojtarë nga ligat e ulëta italiane, teksa u morën edhe të panjohur si Basak dhe Herrera. Dikush i solli, por ai dikush nuk ka as emër dhe nuk ka as fytyrë, dikush thotë Moxhi, dikush Preiti e dikush Juliano.
Ndërkohë, në sulm luan një futbollist që i ngjan Ekubanit, por nga ish-sulmuesi ka të njëjtë ndoshta vetëm origjinën nga Afrika. Shahinasi, objekt misterioz… Një listë e gjatë, me 10 futbollistë, me qershinë mbi tortë: Edgar Çani. Dikur ishte një bomber, sot është kthyer në një barrë për këdo… Fiziku i tij ka çeduar, ndërsa klubi e mbronte dhe madje, vetëm për të hedhur poshtë lajmet e medieve (Sport Ekspres ishte ajo që publikoi e para gjendjen e Çanit!) nxorri lojtarin të fliste. Praktikisht, si në rolin e një kukulle të kurdisur se çfarë duhet të thotë.
Dhe, kur pas thuajse 3 muajsh punë sheh në fushë Bardhin sulmues pykë, Progrin mbrotjës krahu dhe Xhixhiuan në krah, me Sukajn në stol dhe të tjerë të ardhur që nuk dihet ku janë, por sidomos të ashtuquajturin talent hungarez (Adorjan) duke ecur, pyet veten: mos ndoshta trajneri nuk ia ka idenë më të vogël se çfarë po bën? Dhe, 0 gola në 4 ndeshje janë praktikisht një mesatare e frikshme për një klub që synon titullin dhe që sot e sheh veten 8 pikë larg Skënderbeut, por sidomos janë dy planete larg… Soue, Karimi, Nespor, Gavazaj, Sahiti, Kelmendi, Shkodra, Dita, Aliti, për të përmendur vetëm disa blerje të Skënderbeut, që për Dajën janë thuajse të gjithë titullarë. Të gjithë këta, në këtë Partizan, do të ishin padiskutim në fushë, ndërsa Daja mund të zgjedhe vetëm 4 prej tyre, sepse të tjerët ulen në stol…
Së fundi, ndërsa Skënderbeu ka bërë trefishin e ndeshjeve të Partizanit deri tani, duket edhe më i freskët dhe ka gabuar vetëm 45 minuta, ato ndaj Kamzës, për çështje nënvlerësimi. Sepse, sot do të flisnim për një diferencë prej 10 pikësh, praktikisht një pafundësi, në vetëm 4 javë kampionat.