Skënderbeu është tronditur jo pak nga përjashtimi nga kupat e Europës dhe për pasojë disa nga lojtarët me pagat më të larta janë larguar ose pritet të largohen.
Megjithatë, drejtuesit e klubit korçar nuk po qëndrojnë pasivë, sepse tashmë thuajse e kanë kompletuar skuadrën, që do të drejtohet nga Orges Shehi në sezonin e ri.
Teqja e Dajsinani marrin trashëgiminë e lënë nga Shehi në portë, Erlis Frashëri e Bruno Lulaj përforcojnë mbrojtjen, aty ku janë edhe Marko Radas, Kaba Sambou, Fidan Aliti e Leonit Abazi. Një repart i kompletuar, edhe nëse shitet Aliti, siç është plani i klubit.
Në mesfushë problem mbetet vetëm gjetja e pasuesit të Sabien Lilajt, sepse janë konfirmuar Gjergji Muzaka, Nazmi Gripshi, Suad Sahiti, Emiljano Vila e Benejam Demte, por mund të qëndrojë edhe Bruno Dita, ndërkohë që në plan për t’u shitur janë Enis Gavazaj e Bakari Nimaga.
Sulmi, edhe pse janë larguar Xhejms Adeniji e Ali Soue, është kompletuar sërish, sepse Blerim Krasniqi është nga sezoni i shkuar dhe shpreson të luajë më shumë, ndërsa Ardit Hoxhaj kthehet nga huazimi te Flamurtari dhe Çinedu Xhofri Çarls rikthehet nga Rabotniçki.
Në listën e Skënderbeut është edhe Dejvi Bregu, edhe pse vlonjati është te Luftëtari për Europa League dhe pritet të shitet më pas, duke mos shkelur fare në Korçë.
Ndërkaq, në ditët e adhshme priten në Korçë disa lojtarë të huaj, në moshë të re, të cilët do të shihen nga stafi.
LISTA PROVIZORE E SKËNDERBEUT
PORTIERË – Aldo Teqja, Mario Dajsinani
MBROJTËS – Leonit Abazi, Bruno Lulaj, Erlis Frashëri, Marko Radas, Kaba Sambou, Fidan Aliti
MESFUSHORË – Emiljano Vila, Nazmi Gripshi, Suad Sahiti, Gjergji Muzaka, Benejam Demte, Uerdi Mara, Jorgo Pëllumbi (Bruno Dita, Enis Gavazaj, Bakari Nimaga, Dejvi Bregu)
SULMUES – Blerim Krasniqi, Oto Xhon, Ardit Hoxhaj, Çinedu Çarls