Në Korçë janë të indinjuar dhe lëshojnë akuza të rënda. E kanë me Partizanin dhe me Guerrils, që i konsiderojnë një grupim me mbështetje politike. Skënderbeu, përmes një reagimi, ka kërkuar që Komisioni i Disiplinës të mos marrë vendim.
Duke qenë se ngjarja po hetohet nga Prokuroria, ata kërkojnë që pasi gjithçka të zbardhet të merren dënime për shkaktarët e incidenteve. Gjithsesi gjithçka është e kotë, pasi Skënderbeu si klub organizator ka përgjegjësinë e vet në gjithçka ndodhi mbrëmjen e së premtes.
“E Ripërsëritur! Duke marrë shkas nga ngjarjet e ndodhura ditën e premte gjatë zhvillimit të ndeshjes Skënderbeu – Partizani, në Stadiumin ‘Skënderbeu’ dëshirojmë të reagojmë dhe kërkojmë nga autoritetet përkatëse zbardhjen e çështjes dhe nxjerrjen para ligjit të autorëve.
Bilanc lufte në 4 vitet e fundit! Ata që viktimizohen, dhe përgjegjësinë e tyre prej vitesh e adresojnë tek të tjerët duke trilluar dhe skenarë të formave të ndryshme, në 4 vite e fundit gjatë transfertave në Korçë kanë shkaktuar minimalisht 3 milion lekë dëme materiale dhe me dhjetra të plagusur.
Kur do vijë momenti që përgjegjësia t’iu kalojë atyre që shkaktojnë trazira? Atyre që dhunojnë, shkatërrojnë stadiume dhe rrezikojnë jetën e qindra fëmijëve dhe sportdashësve të tjerë, të cilët 90’ minutat e takimit i shohin vetëm si mënyrë argëtimi dhe jo lufte.
KF Skënderbeu bën thirrje për implementimin e plotë të ligjit për sportit dhe individualizimin e përgjegjësisë. Nuk mund të vijohet më me dënime kolektive që demtojnë produktin tonë dhe investimet e klubeve.
Nuk mund të jenë ende të paprekshëm grupime me prapavijë dhe mbështetje politike, i njëjti grupim që shkaktoi trazirat ditën e premte në Korçë duke përfituar nga paprekshmëria kanë shkaktuar të njëjtin incident thuajsë në të gjitha stadiumet e Kategorisë Superiore.
Është fakt! E njëjta tifozëri, ka shkaktuar incidente të ngjashme edhe me prezencën e forcave të policisë në pjesën e brendshme në stadium, duke përfituar nga paprekshmëria dhe duke qënë vazhdimisht të privilegjuar nga mbështetja politike.
Në dijeninë tonë, incidenti i ndodhur në stadiumin ‘Skënderbeu’ ditën e premte po hetohet nga prokuroria e rethit Korçë.
Nisur nga ky fakt, KF Skënderbeu i kërkon Komisionit të Disiplinës pranë FSHF të presë zbardhjen e çështjes nga ana e Prokurorisë në lidhje me incidentin në fjalë dhe po ashtu kërkojmë nga Prokuroria e rethit hetimin me një standart të dy tifozërive dhe jo vetëm të grupimit bardhekuq në mënyrë që të dalin përgjegjësit e vertetë të incidentit.
Në stadiumet Shqiptare nuk mund të ketë më të paprekshmëm me prapavije politike. Ata që prej vitesh dëmtojnë investimet tona, dhunojnë pronën privatë, prishin qetësinë publike dhe mbi të gjitha largojnë tifozët nga stadiumet”, shkruhet në deklaratën e klubit korçar.