Skënderbeu lëviz në merkato, edhe Fejzullahi drejt Korçës

Dëshira e pak viteve më parë duket afër realizimit. Mbrojtësi i krahut të djathtë pritet të jetë pasuesi i Vangjelit, ashtu si Koliçi që do të pasojë Shehin 

Fatjon Rupi

Kampionatit po i vjen fundi dhe korçarët janë shumë pranë titullit kampion, por që tani po mendojnë për merkaton e verës, duke qenë të bindur plotësisht se do të luajnë në Champions, pavarësisht dënimit që ka dhënë UEFA. Klubi juglindor po ndjek rrugët ligjore që ta fitojë këtë çështje dhe po përgatitet që në të ardhmen të ketë një ekip më të fortë. Po mendon që tani për merkaton. Pas portierit Enea Koliçi, një tjetër emër që pritet t’i bashkohet Skënderbeut pas mbylljes së kampionatit është mbrojtësi Arbnor Fejzullahi. Kosovari i Partizanit, kundërshtarit të radhës në kampionat për korçarët, është një dëshirë e hershme e drejtuesve të Skënderbeut, madje pak vite më parë pati edhe një akord, por lojtari nuk mundi të lëvizte për shkak të kontratës që kishte me të kuqtë. Skënderbeu është gati të “rrëmbejë” gjithë lojtarët më të mirë të Superiores dhe ndër të parët në listë është Arbnor Fejzullahi. Mbrojtësi nuk e ka rinovuar që i përfundon në fund të sezonit dhe mund të kuptohet pse. Duket se ka ardhur momenti që ai të veshë fanellën e Skënderbeut, duke qenë pasuesi i Kristi Vangjelit në krahun e djathtë të mbrojtjes. Lojtari nga Presheva është 25 vjeç dhe veç Partizanit, në Superiore ka veshur edhe fanellën e Besës. Skënderbeu do të ishte një trampolinë e mirë për të për kalimin në një kampionat të huaj, siç ka ndodhur me disa lojtarë të tjerë, i fundit Kristal Abazaj.

SITUATA – Në Korçë e mirëpresin Fejzullahin, pasi kështu blindojnë krahun e djathtë të mbrojtjes. Ditët në vazhdim priten zhvillime konkrete, që do të thotë takime mes Fejzullahit dhe drejtuesve të klubit korçar. Burime pranë klubit jugor kanë bërë me dije për “Sport Ekspres” se kosovari është ndër emrat e parë që mendohen si përforcime të skuadrës. Në Korçë ka shumë lojtarë nga Kosova dhe kjo është një arsye më shumë për afrimin e Fejzullahit. Duhet pritur fundi i kampionatit, por shanset e afrimit të këtij lojtari te Skënderbeu janë reale dhe në verë ai pritet të luajë me një tjetër fanellë.

TË TJERËT – Skënderbeu në fakt gjithmonë është në kërkim të lojtarëve dhe bën llogaritë e veta në merkato. Problemet me UEFA-n dhe përjashtimin 10-vjeçar nuk e kanë demoralizuar aspak klubin bardhekuq në këtë drejtim. Klubi bardhekuq do ta vazhdojë çështjen në CAS dhe drejtuesit e tij janë të bindur se këtë verë do të luajnë në Champions League. “Sport Ekspres” ka bërë me dije se është arritur akordi me portierin Enea Koliçi dhe do të jetë ai i pari që do të veshë fanellën e Skënderbeut. Pas tij duket se është radha e Arbnor Fejzullahit, por nuk janë të vetmit. Ka n jë listë të gjatë për përforcimet e korçarëve në verë, ndërkohë që edhe Dejvi Bregut llogaritet si lojtar i Skënderbeut. Së shpejti do të mësohen edhe emrat e tjerë të Skënderbeut të ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *