Skënderbeu kalon Besëlidhjen pa sforcuar, Daja: Të rinjtë të tregojnë sa vlejnë

Fitorja e korçarëve vjen në 45 minutat e dyta, kur Xhejms, Taku dhe Mici tregojnë vlera. Në çerekfinale i pret Teuta. Lezhjanët eliminohen më kokën lart

Fatmir Efica

Kur Skënderbeu kaloi që në minutën e dytë në avantazh, u mendua se kualifikimi, edhe për arsye të fitores së parë 0-1 në Lezhë, nuk do të kishte histori. Por në një moment Besëlidhja, pasi barazoi në mesin e pjesës së parë, i vuri disi në vështirësi korçarët. Oumar Turadi Kamara për pa sa nuk i çoi shifrat në 1-2 dhe më pas gjithçka do të ishte ndryshe. Ndoshta lezhjanët, me pak më shumë fat, mund të përsërisnin atë surprizë të sezonit të kaluar, kur eliminuan Partizanin dhe Flamurtarin. Por dje ata nuk shënuan më shumë se një gol dhe në pjesën e dytë erdhi ndëshkimi nga skuadra e trajnerit Daja, që në çerekfinale do të ndeshet me Teutën

Skënderbeu kishte lënë dje në stol shumë prej titullarëve, pasi ata janë jo pak të lodhur nga ngarkesa dhe duhet të jenë më të freskët në kampionat. Në pjesën e dytë trajneri Daja thirri në ndihmë “yjet” e tij, Xhejmsin, Taku dhe më pas edhe Micin, me të cilët skuadra kishte një tjetër “marsh”, duke shkuar te goli dy herë. Ritmi i lojës u përmirësua ndjeshëm, por këtu ndikoi edhe fakti se Besëlidhja, që nga minuta e 63-të, mbeti me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Ajazit për protesta. Korçarët, pas avantazhit 2-1, mund të realizonin edhe më shumë gola, ndërkohë që dy fitore në të dyja ndeshjet e kupës mjaftojnë për të shkuar në çerekfinale. Në këtë takim duhet thënë se Besëlidhja ka lënë përshtypje mjaft të mira dhe ka luajtur shumë denjësisht, pa i “dorëzuar armët” ndaj Skënderbeut. Në fund të fundit, ishte një diferencë mes kategorive të ndryshme, ku ndodhen aktualisht këto dy ekipe. Duhet thënë se vërtet u eliminuan, por lezhjanët u larguan me kokën lart.

Daja përsërit: Të rinjtë duhet ta meritojnë fanellën!

Pas kësaj fitoreje, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, është shprehur: “Nuk e patëm aq të lehtë ndaj Besëlidhjes, edhe pse i fituam të dyja ndeshjet me këtë kundërshtar. Në të dyja ndeshjet u kemi dhënë mundësi aktivizimi futbollistëve, të cilët kanë pasur më pak minuta në kampionat. Me këtë rast dua të sqaroj se kjo ishte ndeshja e fundit, ku disa prej lojtarëve të kësaj kategorie ua japim këtë shans. E them këtë, pasi fanella e Skënderbeut duhet merituar, duke dëshmuar në çdo moment sakrificë sportive, të shoqëruar më nivelin e duhur të lojës. Këtu nuk e kam fjalën për titullarët, por për disa lojtarë të veçantë.

Lani: Dihen vlerat e korçarëve, por nëse shënonim me Turadin…

“Dihet tashmë nga të gjithë niveli i skuadrës së Skënderbeut. Ne u munduam të tregonim vlerat tona. Deri në momentin që jemi ndëshkuar me karton të kuq, luajtëm si të barabartë. Nëse Turadi do të ishte treguar më i kujdesshëm për të shënuar në atë rast të artë, kur ndeshja ishte 1-1, mund të kishim përsëritur sezonin e kaluar, kur eliminuam Partizanin. Pavarësisht të gjithave, mendoj se kemi bërë një paraqitje dinjitoze përballë skuadrës që kryeson bindshëm në Superligë dhe që garoi po aq me dinjitet dhe në Europa League”, – theksoi mes të tjerash pas ndeshjes së djeshme trajneri i lezhjanëve, Gledis Lani.

SKËNDERBEU–BESËLIDHJA 3-1

Shënues: Kelmendi 2’, Xhejms 74’, Demte 84’ / O.T.Camara

SKËNDERBEU: Teqja, Lulaj, Jashanica, Aliti, Pëllumbi (Mici 71’), Nimaga, Shkodra, Demte, Sahiti (Taku 65’), Kelmendi, Gripshi (46’ Xhejms). Në dispozicion: Shehi, Vangjeli, Gavazaj, Mara).

Trajner: I.Daja.

BESËLIDHJA: Bajri, Dore (Berisha 86’), Vocaj, Dibra, Methasani, O.T.Kamara, Ajazi, Konte (Dyca 86’), Ndreca, Frroku (Malaj 79’), I.Kamara. Në dispozicion: Çili, Përgjoni, Dushaj.

Trajner: G.Lani

GJYQTARË: K.Cjapi, I.Tartari, O.Grabova (Fier)

Karton i verdhë: Ndreca 78’

Karton i kuq: Ajazi 63’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online