Skënderbeu: Inspektorët e UEFA-s i çojmë në gjyq, avokati ynë nuk ka akuzuar lojtarët

2

Publikimi i dosjes “bombë” me anë të së cilës UEFA i kërkon Komisionit të Disiplinës dhe Etikës në UEFA që Skënderbeu të përjashtohet për 10 vite nga kupat e Europës, si pjesëmarrës në manipulim rezultatesh ndeshjesh në Shqipëri e në kompeticionet evropiane natyrisht që ka tronditur keqas gjithë futbollin shqiptar.

Tashmë klubi korçar po përgatit strategjinë mbrojtëse ndaj sulmit të ri të UEFA-s, që në raportin e përpiluar nga Inspektorët e saj ka evidentuar edhe një deklaratë të avokatit mbrojtës të Skënderbeut, Gabriele Zukereti, para trupës gjykuese në CAS: “Ajo që del nga sistemi nuk mund të mohohet… Por, mund të ketë një shpjegim. Për shembull, mund të thuash se disa lojtarë janë përfshirë, por kjo nuk ngarkon me përgjegjësi në asnjë mënyrë klubin. Klubi është i pafajshëm”.

Kjo deklaratë solli reagimin e UEFA-s: “Dëshira e Skënderbeut që të dënohen vetëm lojtarët dhe jo klubi është e pashpresë dhe pa asnjë justifikim ligjor. Në të kundërt, mund të ketë masa shtesë”.

Tani vjen edhe reagimi i Skënderbeut, që me një komunikatë për shtyp sqaron deklaratën e Zukeretit, u tërheq vëmendjen mediave për dekontekstualizim dhe mbi të gjitha paralajmëron me gjyq Inspektorët e UEFA-s, pasi sipas klubit korçar ata kanë keqpërdorur deklaratën e avokatit.

– KOMUNIKATË PËR SHTYP

Përmes kësaj komunikate për shtyp, KF Skënderbeu sqaron opinionin publik sa i përket deklarimeve të bëra nga Avokati Zuçheretti gjatë seancës dëgjimore në CAS.

Ashtu siç është transkriptuar qartësisht nga regjistrimet e kësaj seance, përfaqësuesi ynë ligjor në vitin 2016 ka komentuar faktin se luhatjet e koeficenteve të basteve live për ndeshjet e KF Skënderbeut janë të pakundërshtueshme, por assesi nuk mund të arrihet në një përfundim se ndeshjet janë të trukuara. Ky qendrim i Avokatit Zuçheretti është konfirmuar edhe nga CAS, ku në vendimin për moslejimin e klubit tonë të garojë në UEFA Champions League 2016/2017, ka saktësuar se në analizë të raporteve të UEFA BFDS, nuk është e mundur të provohet trukimi i ndeshjeve apo përfshirja direkte e klubit në këto aktivitete të paligjshme.

Ndër të tjera, mundësia e përfshirjes së lojtarëve në trukim ndeshjesh është ngritur thjeshtë si hipotezë nga ana e përfaqësuesit tonë në provës, jo si një akuzë por si një formë për të evidentuar se në një proces disiplinor, shkeljet dhe shkelësit e disiplinës duhen individualizuar dhe mos të kryhet një proces populist ku të gjithë janë të fajshëm, por asnjëri nuk është fajtor. Ky element ka një prejardhje të drejtpërdrejtë nga praktika gjyqësore e CAS-it dhe gjykatave në rang federal dhe shërben si një garanci për një proces të rregullt e ligjor.

KF Skënderbeu beson tërësisht në integritetin profesional dhe personal të çdo lojtari apo anëtari të stafit teknik të klubit, aktual dhe të shkuar, e nuk do të ngurrojë në asnjë çast t’i mbrojë ata nga çfarëdo lloj akuze të ngritur pa fakte apo bazë ligjore.

Së fundmi, KF Skënderbeu dënon atë pjesë të medias së shkruar dhe vizive e cila në padijeni të plotë ndaj fakteve dhe argumenteve ligjore, dekontekstualizon thëniet e përfaqësuesit tonë ligjor për qëllime destabilizuese apo denigruese.

Sa i përket pretendimeve të Inspektoreve të UEFA-s ne lidhje me këtë keqpërdorim të thënieve të Avokatit Zuçheretti, përgjigja e KF Skënderbeut do të jepet në rrugë gjyqësore, ku nuk do të kursehemi në asnjë çast për të mbrojtur integritetin, rezultatet dhe meritat e familjes tonë të madhe sportive.

Faleminderit për mirëkuptimin

Zyra për shtyp

KF Skënderbeu

You might also like
2 Comments
  1. jani says

    Ikni ore hajdute dorezoni parate qe keni vjedhur.Pas disa vitesh do te kujtoheni si nje ekip ordiner qe vodhi ne Shqiperi por kur filloi te vidhte ne Evrope nuk ja doli dot.

  2. jani says

    Shikoni sondazhet keni mbi 40% te opinionit kunder. pa marre parasysh 40 % qe nuk flasin.cfare doni te beni me teper keni ofenduar mbare tifozerine shqiptare,vidhnit ndeshje ne qiell te hapur dhe nuk ju gjente gje se kishit perkrahje te grupeve tregtare, qeveritare e mafioze.Kujtoni ndeshjen e fundit ne Vlore ne vitin 2011 qe iket me skafandra sepse urrejtja e popullit ishte e madhe. Turp.Doni te justifikoheni tani. Ju nuk kini vlera.Jeni shembulli me i keq i edukimit te rinise dhe femijve per loje te ndershme .

Leave A Reply

Your email address will not be published.