Mbrojtësi kosovar ia ka dalë në seancën e fundit dhe sot do të jetë në fushë nga minuta e parë. Pjesa tjetër e lojtarëve është ajo e zakonshmja
Leonard Trebicka
Skënderbeu ka zhvilluar dje në mbrëmje seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes së sotme me Dinamon e Zagrebit, ku i bën punë edhe barazimi pa gola për të kaluar më tej. Skuadra korçare, pasi ka mbërritur në qytetin e Elbasanit, është çlodhur për disa orë dhe në mbrëmje ka zbritur në fushën e stadiumit, ku trajneri Ilir Daja ka dhënë udhëzimet e fundit për të tijtë në lidhje me strategjinë, që do të ndiqet sot në fushë.
JASHANICA – Me shumë interes dje pritej të shihej gjendja e mbrojtësit Bajram Jashanica, i cili të martën pësoi një dëmtim dhe la në mes stërvitjen. Por ka ardhur lajmi i mirë për stafin teknik të Skënderbeut. Kosovari ia ka dalë ta lërë pas dëmtimin dhe sot do të jetë në fushë nga minuta e parë, duke qetësuar kështu trajnerin Ilir Daja, pasi ky i fundit i kishte bërë llogaritë gjithë kohën me të në formacion. Sigurisht, mbrojtësit i duhet të shtrëngojë dhëmbët dhe të sakrifikojë në këtë ndeshje kaq të rëndësishme, që nuk duhej ta humbiste kurrësesi. Stafi mjekësor, me Jorogo Pantazin në krye, ka bërë gjithë përpjekjet për ta kthyer lojtarin titullar dhe ia ka arritur qëllimit.
FORMACIONI – Me kthimin e mbrojtësit Jashanica, çdo gjë është si më parë në formacionin e korçarëve. Trajneri Daja deri tani ka preferuar rreshtimin 4-1-4-1, por sot ai mendon të kalojë në skemën 4-2-3-1, pasi i përshtatet më shumë lojës që ai kërkon për të arritur rezultatin e kualifikimit. Skënderbeu do të përpiqet ta mbajë larg kundërshtarin dhe të shfrytëzojë kundërsulmin e shpejtë. Përkrah Osmanit në qendër të mesfushës do të luajë Nimaga, kurse lIlaj pak më para tyre, më afër sulmuesit Soue, ndërsa në krahë do të veprojnë Gavazaj dhe Latifi. Mbrojtja nuk ndryshon me Vangjelin, Radasin, Micin dhe Jashanicën, si dhe me Shehin pas krahëve të tyre. Në stol do të jetë të gatshëm lojtarë si Muzaka, Shkodra, Xhejms etj.
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut, 4-2-3-1
Shehi -Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Nimaga, Osmani – Gavazaj, Lilaj, Latifi – Soue