Skënderbeu vijon punën për të zëvendësuar lojtarët e larguar dhe plani është që në datën 5 korrik, kur të nisë puna për sezonin e ri, trajneri i ri Orges Shehi të ketë një skuadër të kompletuar në dispozicion.
Pas largimit të sulmuesve Xhejms Adeniji e Ali Soue, Skënderbeu ka mbetur vetëm me Blerim Krasniqin në repartin ofensiv.
Megjithatë, klubi i ka gati lëvizjet për të kompletuar sulmin, sepse nga Trepça ’89 do të transferohet në Korçë Oto Xhon, i cili merr vendin e Adenijit, ndërsa pasuesi i Souesë pritet të jetë Xhofri Çinedu Çarls.
Sulmuesi 20-vjeçar firmosi kontratë me Skënderbeun në fillim të vitit 2017 dhe shkoi në huazim për pak muaj te Besa e Kavajës, por realisht ka shpërthyer te Rabotniçki në Maqedoni, ku shënoi 11 gola në 28 ndeshje dhe dha një kontribut të madh për kualifikimin në Europa League.
Tani Çarls është duke u përgatitur me Rabotniçkin për ndeshjet në Europa League, por nëse Rabotniçki eliminohet ndaj Honvedit hungarez këtë muaj, do të bashkohet me Skënderbeun pa përfunduar muaji. Mundësia e vetme që Çarls të mos kthehet në Korçë është ndonjë ofertë e rëndësishme nga jashtë.