Trajneri Daja e ka pëlqyer 19-vjeçarin nga Etiopia, për të cilin Kukësi ka pretendime se është i tyre. Në transfertën ndaj kroatëve ai mund të jetë i federuar me korçarët
Leonard Trebicka
Pasi e ka parë me kujdes në stërvitje, trajneri Ilir Daja ka dhënë pëlqimin e tij për mesfushorin nga Etiopia, Biniam Belai Demte, madje u ka kërkuar drejtuesve të klubit ta federojnë sa më parë, pse jo dhe për ndeshjen e radhës me Dinamon e Zagrebit, pasi Skënderbeu e ka një vend bosh. Daja e ka pëlqyer shumë lojtarin në fjalë, që karakteristika të mira. Në fakt, ka rreth 10 ditë, që ai ka mbërritur te Skënderbeu dhe ka zhvilluar stërvitje me pjesën tjetër, por në fillim u duk se ishte thjesht një nga ata që vijnë për provë në këtë periudhë. Me atë që ka treguar në fushë, Demte ka marrë “ok”-in e trajnerit të korçarëve.
Drejtuesit e klubit juglindor janë vënë në lëvizje të bëjnë federimin e këtij lojtari në UEFA. Kjo kërkesë është bërë që dje dhe ndoshta që sot futbollisti nga Etiopia do të gjendet në listën e Skënderbeut. Etiopiani ishte ëkrkuar më parë nga Kukësi, drejtuesit e të cilit pretendojnë se Skënderbeu ua ka “vjedhur”, por nga e korçarëve janë të qetë, pasi shprehen se nuk kanë shkelur asnjë rregull. Lojtarin në fjalë e ka sjellë menaxheri i tij në Korçë dhe Skënderbeu e ka testuar. Tani e pëlqen dhe do ta ketë në ekip në vazhdim.
Korçarët kanë federuar përpara disa ditësh edhe sulmuesin Ali Soue, i ardhur me shumë bujë te Skënderbeu. Bardhekuqtë kishin lënë edhe një vend tjetër të lirë, duke pritur ditët e fundit për ndonjë afrim të mundshëm. Pasi Daja u bind, Demte do të jetë nën urdhrat e tij ndoshta që në ndeshjen e parë në Zagreb. Nuk është çudi, që në një prej këtyre dy ndeshjeve, në Kroaci apo në Elbasan, mesfushorin ta shikojmë në fushë, qoftë edhe si zëvendësues.