Skënderbe ndryshe, Taku e Nimaga nga minuta e parë

Dy ndryshime do të bëjë Daja nesër në mbrëmje ndaj Kairat. Gazeta zbulon lëvizjet në formacion, teksa skuadra korçare do të luajë e ngjeshur në mesfushë

Leonard Trebicka

Skënderbeu do të pësojë disa ndryshime të rëndësishme në formacion për përballjen me Kairat Almatin dhe kjo është vënë re nga seancat stërvitore të ditëve të fundit. Gazeta ka mësuar formacion dhe skemën taktike që do të rreshtohet nesër në fushë Skënderbeu. 4-1-4-1 është moduli i përzgjedhur dhe risitë në formacion janë Bakari Nimaga dhe Afrim Taku. Goran Vujoviç ishte parashikuar se do të ulej në stol që më parë, ndërkohë që Enis Gavazaj ia ka lënë vendin ish-mesfushorit të Tiranës. Për trajnerin Daja, këto lëvizje lidhen me skemën taktike që ka zgjedhur stafi teknik, si dhe me formën e mirë që po kalojnë të dy lojtarët në këto momente.

TAKU

Futbollisti kryeqytetas ka qenë zgjedhja e Dajës për të ardhur te Skënderbeu këtë verë dhe duket se ka rifituar formën e tij. Taku do të jetë zgjedhja e trajnerit për të zënë vendin e Enis Gavazaj, një lojtar i shpejtë, i aftë në pjesën sulmuese,por jo dhe aq në atë mbrojtëse. Duke parë edhe kundërshtarin tepër të fortë, Daja ka zgjedhur Takun, që në të shkuarën ka bërë shpesh herë edhe mbrojtësin e djathtë. Në dy ndeshjet e mëparshme Daja zgjodhi nga afrimet vetëm Vujoviç, ndërsa këtë herë do të jetë Taku titullar. Mesfushori për herë të parë do të veshë fanellën e Skënderbeut si titullar, pasi si rezervë e provoi në ndeshjen e parë në Korçë ndaj Sant Julia.

NIMAGA

Një tjetër emër që duket se është zgjedhja e re e Dajës është edhe ai i malienit Bakari Nimaga. Mesfushori në fjalë do të ulë në stol Goran Vujoviç, që luan si sulmues i parë. Daja ka vendosur që të shtojë edhe një forcë më shumë në mesin e fushës. Nimaga do të jetë një ndihmë më shumë në këtë repart dhe së bashku me Osmanin do të jenë dy shkatërruesit e Skënderbeut, me detyrën e qartë për të ndërprerë çdo sulm të kundërshtarëve të Kairatit. Edhe Nimaga ka fituar formën optimale dhe tanimë kthehet si titullar.

FORMACIONI

Skënderbeu do të luajë i ngjeshur në mesin e fushës, si një mënyrë për t’i bërë ballë ekipit vendas të Kairatit, që do të jetë i tëri në sulm për ta fituar ndeshjen. Në portë do të jetë kapiteni Orges Shehi, ndërkohë që edhe mbrojtja nuk pëson asnjë ndryshim. Vangjeli do të luajë në të djathtë, Mici majtas dhe Radas e Jashanica në qendër. Po të shtosh edhe Osmanin, që do të jetë i vetëm përpara repartit të prapavijës, deri më tani nuk ka surpriza. Mesi i fushës do të sjellë edhe ndryshimet më të mëdha, teksa në të djathtë do të jetë Afrim Taku, ndërsa Lilaj dhe Nimaga do të jenë dyshja e mesfushës, ku korçari do të bëjë organizatorin dhe malieni shkatërruesin. Në këtë repart gjithçka do të mbyllet me Liridon Latifin në krahun e majtë. I vetëm në majë të sulmit do të jetë nigeriani Xhejms Adeniji, i cili do të tentojë me shpejtësinë e tij të befasojë në momentet që Skënderbeu do të kundërsulmojë.

Formacioni i mundshëm i Skënderbeut

Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Osmani, Taku, Lilaj, Nimaga, Latifi – Xhejms

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *