Kukësi-Vllaznia ishte më tepër sesa sfida e radhës e kampionatit shqiptar për të dyja këto skuadra. Një ndeshje kjo e cila nuk mund të thuhet se vlen vetëm tre pikë, pasi në të njëjtën kohë fituesi i heq mundësinë kundërshtarit për të dalë me pikë dhe për ta penguar në garën e titullit kampion.
Meritë të madhe kishte në këtë fitore edhe skema e përgatitur nga ana e trajnerit të Vllaznisë. Nëse shihej me vëmendje e gjithë ndeshja e luajtur, shkodranët kishin të njëjtën mënyrë që po i jepte efikasitet për të sulmuar kundërshtarin. Topi nisej fillimisht për të avancuar me organizim nga krahu i majtë i sulmit të Vllaznisë. Gjithmonë luhet në zona të ngushta në krahun e majtë dhe kjo sillte spostimin e lojtarëve të Kukësit pikërisht në këtë zonë.
Menjëherë Vllaznia e ndryshonte kursin e lojës për të sulmuar nga krahu i djathtë atje ku dy futbollistë të ekipit shkodran krijonin superioritet ndaj kundërshtarit. Kjo ishte mënyra sesi Brdariç arriti që t’ia dilte ndaj Kukësit, me një “kamuflazh” pasi në krahun e majtë ka pasur dalje sporadike të miqëve, duke qëndruar vigjilent në çdo moment dhe për të mos e lënë veten në surprizën e kundërsulmeve.
Në këtë mënyrë dhe me ndërrimin e lojës do të vinte edhe goli i parë i Vllaznisë, por gjithashtu edhe episode të caktuara të ndeshjes tregojnë sesi krahu i djathtë i sulmit të shkodranëve kishte hapësirën e madhe për të mbërritur lehtësisht në portën kundërshtare. /Sport Ekspres/