Nëse për shumicën e lojtarëve mbërritja në Kombëtare dhe një ftesë prej saj është maksimumi për t’u arritur, Besart Berisha këtu është një rast përjashtimi. Ky sulmues ka bërë gjithçka përgjatë këtyre viteve për të shkelmuar këto mundësi të arta që i jepeshin. Vitet e fundit karrierën e tij e ka bazuar në Australi dhe në të vetmin moment që doli jashtë saj, në Japoni, asgjë nuk shkoi si duhej dhe u rikthye në shtëpinë e tij, atë që nuk e braktis kurrë.
Madje as për Shqipërinë, teksa Shqipëria vuante për sulmues dhe shumë trajnerë do ta thërrisnin, mes tyre edhe De Biazi, por përgjigja ka qenë e tillë: “Me shumë kënaqësi, por jam shumë larg dhe janë shumë kilometra për t’u bërë”. Ky ishte një justifikim në fakt, jo edhe shumë i bukur, ndërsa Salihi vinte nga Kina për të shënuar edhe super gola, si ai ndaj Novergjisë.
Më pas kur një derë u mbyll, Besart Berisha kërkoi një tjetër te Kosova. Atje do të luante vetëm një miqësore ndaj Islandës, por nuk e përtypi dot kur u la në stol ndaj Turqisë, në një ndeshje të dytë. Trajneri që asokohe ishte Albert Bunjaku zgjodhi t’i besonte Muriqit dhe Nuhiut dhe që nga ajo kohë kur Berisha u nervozua së tepërmi, nuk është parë më me fanellën e Kosovës. Për këtë arsye ka folur edhe vetë Bunjaku për “Periskopi”:
“Po, normal, Berisha ka qenë i dëshpëruar në stol ndaj Turqisë, ne jemi munduar t’i tregojmë se në këtë ndeshje e kemi planin që të fillojmë me 5 mbrojtës dhe nëse bëjmë një gjë të tillë, atëherë Vedat Muriqi ose Nuhiu janë alternativat e parë, pasi na duhet një sulmues që mund të pranojë shumë topa. E kuptoj që ishte i dëshpëruar, por roli im ishte të shoh Kombëtaren para individit”, tha Bunjaku. /Sport Ekspres/