Skandali në PSG-Crvena Zvezda, UEFA ishte në dijeni të trukimit

Një ndeshje e trukuar në nivelin më të lart të futbollit europian. As më shumë, e as më pak, por në fazën e grupeve të Champions League. Një ngjarje që vazhdon të bëjë jehonë, ajo e akuzave për takimin e luajtur ndërmjet Paris Seint Zhermen dhe Crvena Zvezdës. Mediat ndërkombëtare flisnin për fluks anormal bastes, për fitoren e francezëve më pesë gola diferencë, diçka që në fund u realizua, pasi ekipi I Tukel triumfoi 6-1.

Akuzat vazhdonin edhe më tej, me një drejtues të lart të klubit serb që dyshohet se ka vendosu 5 milionë euro në baste kundër ekipit të tij, duke fituar shumë më tepër parà. Sipas informacioneve më të fundit, UEFA ishte plotësisht në dijeni të rrezikut të trukimit të ndeshjes, të cilën u’a kishte sinjalizuar autoriteteve, në rastin konkret Prokurorisë në Francë.

Pas informimit rreth tentativës për trukimin e ndeshjes, fillimisht policia franceze kërkoi të sqaronte indicien, sipas të cilës një drejtues i klubit serb do të vizitonte presidentin e PSG, Naser Al-Khelaifi, megjithatë pa gjetur asnjë prej këtyre personave në hotelin ku mendohej se do të zhvillohej takimi. Në përfundim të ndeshjes, e pasuksesshme rezultoi edhe tentative për të identifikuar personin e dyshuar se vendosi bastin dhe fitoi shumë herë më tepër se 5 milionë eurot, pas suksesit 6-1 të parizienëve.

Një skenar si ato të historive të spiunazhit, që mund të shoqërohet me masa të forta, sepse prishin imazhin e kompeticionit më të rëndësishëm, por edhe më fitimprurës për klube, siç është Champions League. Sipas ekspertëve juridikë, klubi i Paris Seint Zhermen, rrezikon pak, për të mos thënë aspak, pasi nuk mund të mbajë përgjegjësi për atë që bëjnë rivalët. Në anën tjetër, Crvena Zvezda rrezikon minimalisht përjashtimin nga evenimenti, ndërsa më pas mund të jepet edhe kohëzgjatja e dënimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *