Skandali argjentinas, tifozët përvëlojnë arbitren

Ngjarje absurde në Argjentinë, aty ku në fakt ndeshjet e futbollit rrallë luhen qetësisht nga fillimi deri në fund: në një ndeshje të kategorisë së gjashtë, mes Marquesado e San Martin, një arbitre u sulmua nga tifozeria vendase, me një shishe me ujë përvëlues që e goditi në shpinë.

Në ndeshjen e fituar 1-0 nga miqtë, në minutën e 88-të një nga anësorët (mashkull) dha një pozicion jashtë loje për vendasit dhe tifozët e zbrazën inatin te arbitrja anësore në krahun tjetër të fushës, meqë e kishin më afër.

Rosana Paz mori ndihmën e shpejtë në fushë, por rezistoi sa për të mbyllur normalisht ndeshjen, para se të shkonte në spital për shkak të djegies në disa vende në shpinë.

Lajmi ka bërë xhiron e botës, por 46-vjeçarja Rosana, arbitre amatore, nuk ka ndërmend të dorëzohet: “Shpresoj që diçka e tillë të mos përsëritet më, sepse mund t’i ndodhte kujtdo, nuk është çështja se jam unë femër. Nuk dua të heq dorë nga puna ime, e kam pasion dhe nuk më ndal dot askush. Jam gati të arbitroj që fundjavën e ardhshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *