Skandalet e Tomorit, afrikanët nuk largohen dot as për pushime

Çudirat nuk kanë të sosur në Berat dhe për më shumë kur bëhet fjalë për futbollistët e huaj, siç është rasti i dy afrikanëve të skuadrës beratase që aktivizohen në këtë sezon tek Tomori. Më konkretisht, bëhet fjalë për sulmuesin Ogbodike dhe mesfushorin Friday, që ndryshe nga futbollistët jabanxhinj që janë larguar prej disa ditëve, janë ende në Berat.

Dyshja afrikane të Tomorit jo vetëm që e ka të pamundur që të largohet për në vendlindjen e vet për të kaluar festat e fundvitit, por më keq akoma, ata nuk po mundin dot që të largohen edhe drejt Tiranës! Po cila është arsyeja e vërtetë e qëndrimit të tyre të ” detyruar ” në Berat? Nga investigimi që ka kryer gjatë dy ditëve të fundit SportEkspres.com, në mënyrë konfidenciale është mësuar se dy futbollistët gjenden pa lekë dhe kanë kërkuar që të likuidohen me nga një pagë mujore nga klubi, në mënyrë që në pamundësi për të shkuar në familjet e tyre në Afrikë, të paktën të kalojnë festën e ndërrimit të viteve në kryeqytet.

Vetë futbollistët nuk kanë pranuar që të prononcohen në asnjë rast për këtë ngjarje, dhe kjo për shkaqe të kuptueshme që kanë të bëjnë me frikën e sanksioneve nga ana e klubit, por nën zë dhe në ambiente të ngushta, dyshja e futbollistëve afrikanë të Tomorit flasin hapur se kanë mbetur pa kokërr leku dhe se në një rast ka qenë një prej zyrtarëve të sportit në Bashki që u ka dhënë atyre nga xhepi i tij nga 2500 lekë të reja, të cilat megjithëse janë vlerësuar me shumë mirënjohje nga sulmuesi dhe mesfushori, përsëri kanë qenë të pamjaftueshme sipas tyre për të zgjidhur  hallin që kanë.

Momentalisht Ogbodike dhe Friday po qëndrojnë në dhomat në katin e dytë të tribunës qendrore, ndërsa problem mbetet mungesa e lekëve, por edhe perspektiva për tu paguar në ditët në vazhdim. Kujtojmë se nuk është hera e parë në Berat që përsëriten fenomene të tilla me futbollistë të huaj, si në periudhën e pushimeve dimërore, kur atyre nuk ju krijohet dot mundësia e lëvizjes nëpër familjet e tyre, ashtu edhe gjatë pushimeve të verës kur s’ka kushte më minimale për akomodim.

Për momentin nga klubi i është siguruar ngrohja nëpërmjet energjisë, por edhe për këtë rast, po nga klubi janë shprehur së fundi se kanë frikë se fatura për konsumimin pa kriter të energjisë, do të vijë shumë e kripur muajin e ardhshëm. Pra më shumë se sa meraku se si të zgjidhin ngërçin e krijuar, në klubin beratas kanë frikën e shpërdorimit të energjisë nga dy futbollistët afrikanë.

Edi Spahiu 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *