Skandal te Tomori, futbollistët nuk janë paguar

Deri tani Tomori ka qenë nga klubet më korrekte të futbollit shqiptar dhe mbështetja financiare që vinte nga Bashkia për fondin vjetor që akordonte Këshilli Bashkiak ishte gjithashtu një tregues i qartë se në Berat ka pasur korrektësi maksimale me pagesat, aq sa edhe zyrtarët e klubit dhe bashkisë janë krenuar shpesh me këtë fakt.

Gjithsesi, “dardha e ka bishtin prapa” dhe Sport Ekspres ka zbuluar se klubi beratas nuk i ka likuiduar futbollistët për muajin maj, që është edhe muaji i fundit sipas kontratës ligjore firmosur me lojtarët dhe depozituar edhe në Federatë.

Deri tani ka pasur vetëm shmangie dhe gënjeshtra nga Bashkia, ndërkohë që klubi nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Futbollistë të Tomorit tregojnë në mënyrë konfidenciale se u druhen ndëshkimeve nga klubi, nëse dalin e flasin hapur.

DEKLARATA – “Nuk na kanë dhënë rrogën e muajit maj dhe është vërtet për të ardhur keq, pasi ne kemi qenë në punë dhe askush s’ka të drejtë të veprojë në mënyrë të paligjshme, pasi me ato rroga mbajmë familjet tona. E kemi kërkuar rrogën dhe një shpjegim nga klubi, por këta që shesin moral në sytë e botës nëpër gazeta dhe televizione se gjoja janë klubi dhe skuadra më korrekte në Shqipëri. Është një veprim i turpshëm, sepse mbajnë rrogën e gushtit dhe më pas të majit, por për xhepat e tyre nuk i lënë pagat pa marrë. Ftojmë median që të verifikojë pretendimin tonë, duke kërkuar në klub borderonë e muajit maj”, ka deklaruar një prej futbollistëve të njohur beratas, i cili ka zbuluar se për këtë shkak midis futbollistëve dhe zyrtarëve të klubit dhe madje edhe stafit teknik, ka pasur debate të forta si një kërkesë llogarie, por në fund futbollistët kanë ngelur me gisht në gojë.

Edi Spahiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *