Nuk ndodh shpesh që në vendet skandinave të zbulohen ndeshje të manipuluara për baste, ndaj kur ka raste të tilla, bëjnë bujë të madhe në gjithë Europën.
Këtë fundjavë në Suedi u luajt sfida e divizionit të dytë, Norrbi-Dalkurd, fituar nga miqtë 3-0. Në pamje të parë, gjithçka normale, Dalkurdi është i dyti në renditje, Norrbi pranë fundit të tabelës.
Megjithatë, ndeshja tashmë ka përfunduar nën hetim, sepse të dielën, në orët para ndeshjes, pati një fluks të jashtëzakonshëm bastesh në Suedi dhe në tregun aziatik, për fitoren e pastër të Dalkurdit dhe shumë gola.
Për pasojë, kompania suedeze Svenska Spel ndali kuotimin e ndeshjes një orë para startit të takimit, kur e kuptoi se gjithë bastet po luheshin për miqtë dhe të paktën 3 gola në ndeshje, me shuma jashtë normales për divizionin e dytë suedez.
Svenska Spel ka deklaruar ditën e djeshme se tani e tutje nuk do të pranojë më baste për ndeshjet ku luan Norrbi, edhe pse ka paguar gjithë bastet fituese të së dielës.