Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kosovë. Trajneri i mirënjohur, Bylbyl Sokoli është sulmuar fizikisht pranë banesës së tij në Prishtinë, nga tre persona ende të paidentifikuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur vetëm pak orë pasi tekniku i Llapit e drejtoi ekipin e tij në ndeshjen e humbur 2-1 me Prishtinën në kryeqytet.
Sokoli u transportua me ambulancë në Urgjencën e QKUK, ndërsa menjëherë pas agresionit, policia ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e autorëve. Dhuna fizike ndodhi rreth orës 20:30 të së shtunës, në momentin kur trajneri po shkonte në banesën ku jeton në kryeqytet.
Ai u godit me sende të forta pranë kokës, ndërsa ka pësuar edhe gërvishje në trup. Por, fatmirësisht, trajneri nuk pësoi lëndime serioze. Pasi qëndroi në spital, ku mori ndihmën e parë, në praninë e familjarëve dhe disa zyrtarëve të klubit të Llapit, Bylbyl Sokoli u largua nga QKUK, i shoqëruar nga forcat e policisë.
“Vetë fakti që u lajmërova në telefon tregon se rasti nuk është serioz. Ju lutem të gjitha mediave të më mirëkuptojnë nëse nuk dua të flas më tepër. A i njoh agresorët? Nuk dua të jap komente rreth kësaj çështje”, tha shkurtimisht trajneri për gazetën kosovare “Zëri”.
Policia ka nisur menjëherë hetimet për rastin, ndërsa përgjegjësit e sulmit fizik nga trajneri mbeten ende të paidentifikuar. Nga rasti i tmerrshëm i dhunës, janë distancuar menjëherë tifozeritë. Mbështetësit e Llapit, “Legjendat”, reaguan në faqen zyrtare në “facebook”, pasi u përfolën si mes të dyshuarve.
Ata mohuan çdo lloj dyshimi se mund të kenë dorë në sulmin ndaj trajnerit të tyre. Të njëjtën gjë bënë edhe tifozët e Prishtinës, “Plisat”, të cilët u shprehën se kanë “respekt për profesor Sokolin dhe nuk kanë asnjë arsye përse duhet ta sulmojnë”, duke theksuar se ky tifo-grup nuk është marrë asnjëherë me trajnerët apo lojtarët kundërshtarë.