Korçarët duan ta mbajnë me “dhunë” durrsakun. Pas 24 gushtit do të ketë takimin vendimtar me presidentin Takaj, i cili besohet se do të bindë të qëndrojë
Leonard Trebicka
Orges Shehi, me shumë gjasa, nuk do t’i thotë lamtumirë futbollit të luajtur. Skënderbeu ka ende nevojë për të, për një “gardian” dhe një kapiten si ai. Shiriti i kapitenit edhe për një sezon do të mbetet në krahun e 40-vjeçarit, edhe pse ende nuk ka një zyrtarizim nga klubi “Skënderbeu”. Shehi në fakt ka disa muaj, që është përgatitur për ta lënë futbollin e luajtur. E përsëriti qëndrimin e tij, duke u shprehur se pas ndeshjeve europiane do t’i varte dorezat në gozhdë. Dhe klubi korçar ka menduar për zëvendësuesin e tij, ku më i përfoluri ishte Enea Koliçi, i cili tashmë ka rinovuar me Kukësin. Eshtë një çështje e mbyllur dhe e tillë mund të quhet edhe për Shehin, i cili me siguri nuk do të lejohet nga presidenti Ardjan Takaj ta lërë portën bardhëkuqe. Fatmirësisht, Skënderbeu ka kaluar tre raunde në Europa League dhe koha për të gjetur një portier cilësor është e pakët, kështu që drejtuesit korçarë do ta mbajnë qoftë edhe me “dhunë” Shehin. Një tjetër fakt, që e përforcon qëndrimin e portierit durrsak është forma mjaft e mirë sportive e tij. Kapiteni i Skënderbeut ishte vendimtar në kualifikimin e fundit ndaj Mladës, ku përveç pritjeve të shkëlqyera gjatë ndeshjes, priti edhe penalltinë e fundit. Në Korçë dëshirojnë shumë që Orges Shehi të vazhdojë të luajë, madje tifozët janë të bindur se Takaj ka për t’ia mbushur mendjen të qëndrojë edhe një sezon.
40-VJEÇ – Rrallë është parë që portierë në moshë kaq të madhe të tregojnë një formë kaq të mirë. Orges Shehi, më 20 shtator feston 40-vjetorin, por duket sikur është shumë i ri, duke i rilindur. Duke parë moshën ai mendoi tërheqjen nga futbolli, por tani e ka të pamundur, pasi Skënderbeu ka nevojë për një portier si ai. Karrierën e ka nisur në Durrës dhe më pas ka veshur fanellat e Bylisit, Vllaznisë, Partizanit, Besës dhe që në vitin 2010 është pjesë e Skënderbeut. Nëse pranojë të qëndrojë, do të jetë sezoni i 8-të për të në portën korçare. 611 ndeshje numëron Orges Shehi në Superiore. Ai ka shënuar edhe një gol me fanellën e Skënderbeut, përveç penalltive që ka gjuajtur në Europë, siç ishte edhe rasti i fundit me Mladën. Madje ishte i pari që gjuajti nga pika e bardhë. Trajneri i portierëve, Ilir Bozhiqi, e vlerëson shumë dhe do që Shei të vazhdojë të luajë. Një vit më parë futbollit të luajtur i dha lamtumirën Bledi Shkëmbi, ndërsa për Shehin ky moment nuk ka ardhur akoma. Shehi është më jetëgjati në këto suksese të shtatë viteve të fundit te Skënderbeu. Shehi duhet të mendohet dhe ka edhe 10 ditë kohë, por kërkesës së presidentit Takaj ai do ta ketë të pamundur t’i thotë “jo”.
E ardhmja, një rol drejtuesi në klub
Orges Shehi, kur mendoi lamtumirën nga futbolli i luajtur, ka pasur dy oferta konkrete. Atë e pret një rol drejtuesi në klubin “Skënderbeu”, ku e ka vendin të sigurt. Së dyti, ka edhe një ofertë nga FSHF-ja për të drejtuar një ekip kombëtar moshash. Një ofertë, që nuk është se e ka tunduar më shumë se ajo e klubit korçar. Shehi është gati të zgjedhë atë të klubit “Skënderbeu”, por tani duket se ky vendim do të merret pas një viti, teksa te Skënderbeu e duan në portë edhe për një sezon. Eshtë shumë e vështirë për të gjetur një portier, që ta zëvendësojë denjësisht Orges Shehin dhe për këtë nuk kanë “faj” korçarët. Për momentin, te Skënderbeu janë duke u stërvitur portierë si Aldo Teqja dhe Mario Dajsinani, por edhe Erjon Llapanji nuk i ka thënë lamtumirë futbollit. Ky i fundit pritet të jetë në klubin si korçar si trajner i akademisë. Tashmë pritet përgjigja zyrtare e Shehit, që do të mësohet pas 24 gushtit, kur të jetë luajtur edhe ndeshja e kthimit ndaj Dinamos së Zagrebit.