Pas rihapjes së futbollit në kampionatin italian, dukej se Lazio do të provonte gjithçka për të fituar titullin kampion. Por që pas disfatës me shifrat 3-2 ndaj Atalantës, kryeqytetasit kanë lëshuar shumë pikë, duke u pozicionuar në vendin e katërt ne klasifikim.
Lotito nuk e ka “përtypur” faktin që skuadra e tij lëshoi terren në Seria A dhe për këtë arsye është konfrontuar me çdo pjesëtar të klubit. Javën e kaluar, kur Lazio u mund në shtëpi përballë Sassuolos, presidenti Lotito kërkoi llogari mbi arsyen që klubi i tij nuk po e gjente dot më ritmin e periudhës se para pandemisë. Sigurisht që të bërtiturat nuk mund të mungonin, teksa Lotito ka ngritur zërin në dhomat e zhveshjes ndaj lojtarëve.
Barazimi ndaj Udinezes ishte kulmi i acarimit për Lotiton, pasi Lazio tashmë kaloi në vendin e katërt, pas Atalantës dhe Interit. Ai ka fajësuar stafin mjekësor, duke i akuzuar se për fajin e tyre lojtarët nuk po marin ushqimin e duhur, për të përballuar lodhjen e tepërt.
Lojtari i Lazios, Parolo, është i mërzitur për faktin se presidenti po kërkon patjetër nje fajtor për rezultatet e dobëta. “Këto ditë kam dëgjuar shumë të bërtitura, duan të gjejnë patjetër një fajtor, por faji është i të gjithëve.”- u shpreh mesfushori italian. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/