Që Erion Braçe reagoi pas lajmit që u krijua sindikata e futbollistëve ishte një lajm i mirë. Pavarësisht se shpesh i stërzgjatur në statuse dhe në qëndrime, ndonjëherë kaotike dhe preferenciale, zëvendëskryeministri edhe pse në rangun jo rrallë të tifozit, në fund të fundit është një zë më shumë në këtë tollovi që tenton të korrigjohet.
Fatkeqësisht, si një kritik i keq që nuk merret me veprën, por me artistin, Braçe u mor me Andi Lilën dhe si një vëzhgues i pavëmëndshëm shfrytëzoi lidhjet miqësore të deklaruara pa asnjë teklif të Andit me presidentin e F.Sh.F-së për të demaskuar një nisëm që mund të jetë një dështim, por të paktën t’i lemë kohë për të na treguar nëse mund të jetë një sukses.
Nejse, duke qenë se Braçe është kontradiktor, ndoshta nuk është e rëndësishme se çfarë thotë ai në këto momente. Çdo nisëm duhet përkrahur, por në politikë janë mësuar ndryshe.
Për shembull, kundërshtarët e Braçes thonë se mbrapa teatrit qëndron kulla. Këta të futbollit janë ndryshe. Duan “stadiumin” përpos kullës.
Koherenca duhet ta shoqërojë numrin 2 të qeverisë. Për shembull ai tha duhet stadium me kullë sepse shteti nuk ka para ta bëjë, por më pas tha: Pse do t’ia vendosim emrin stadiumit me pagesë? Sikur nuk shkon që logjikën e biznesit ta përdorësh sa herë të intereson..
Pavarësisht të gjithave, publiciteti është gjithnjë i nevojshëm edhe nëse në vend të veprës… shan artistin.
Kjo e Braçes është një motiv më shumë që sindikata të na tregojë se nuk është dështim.