“Ti nuk vjen nga shkallët e stadiumit” ishte një mënyrë elegante për ti thënë që “nuk merr vesh nga kjo punë”. Sinani – ai i Flamurtarit – ngjante si mish i huaj në futbollin shqiptar. Gjuha që përdorte në daljet publike ishte e padeshifrueshme për një pjesë të mirë të opinionit. Ndonjëherë të dukej si “mashtrues”. Sidomos kur shpjegonte zyrtarisht se përse nuk vinin paratë në klub nga firmat turke.
Sot gjuha e tij është disi më e thjeshtë, nuk citon më Marksin, dhe flet më shumë për anën teknike. Pa e tepruar, siç di me elegancë dhe duke nënkuptuar parimin që i vuri vetes që ditën e parë: rezultati nuk ka asnjë rëndësi, standardi gjithçka.
Pas 3 sezoneve diçka ka kuptuar. E para, projekti sportiv është i rëndësishëm po aq sa komoditeti i tribunës qendrore dhe pagesat çdo datë 1 në sport kanë ndikim direkt në humorin e lojtarëve dhe rrjedhimisht edhe në fushë. Në stilin e tij ai ndryshoi në 180 gradë. Projektin sportiv ia besoi trajnerit, ndërsa pagesat i bën madje paradhënie.
Me stilin sidomos të daljeve publike nuk bën kompromis. As me përqasjen në botën e futbollit. Këto vite do i kishin mjaftuar të kishte bërë mik këdo, çdo president, drejtues federate dhe shef gjyqtarësh. Me ndërgjegje ka zgjedhur mos ta harxhojë kohën kësisoj. Pasionin për librat nuk e humbi asnjëherë, ndërkohë që opinionet e tij kanë gjithnjë diçka interesante për të reflektuar. Njësoj si deklarata e fundit. “Pse duhet të investojmë kaq shumë, kur në fund vetëm 3 luftojnë për titull e të tjera për mbijetesë?”. Idrizi është i pari që foli për mesin e artë, por ai ndoshta nuk e di se një mes i artë në kampionatin shqiptar do e detyronte më pas në garë e sipër të thoshte: ç’bëhet kështu?!
Nejse, ndoshta kjo puna e skemës është e ekzagjeruar për marrëdhënien e tij me futbollin. Sikur të vazhdojë të qëndrojë kështu, duke i besuar një njeriu, duke paguar rregullisht e duke mos qenë pjesë e tavolinave plot intriga të kampionatit, do jetë OK.
Sigurisht që duhet të ketë një arsye se përse sillet kështu. E para, sepse nuk ka hyrë në futboll nga dera e tribunës – nuk ka qenë tifoz më parë – dhe e dyta, ajo që ka më shumë rëndësi, tipin e tij nuk e ka ndryshuar në varësi të kampionatit.