Shqipëria ka humbur në përballjen kundër Finlandës, në një ndeshje që ka marrë shumë diskutime. Një humbje 2-1, por reagimet ishin pozitive duke parë performancën e Kombëtares, për më tepër në ato 20 minutat e para. I ftuar në “Procesi Sportiv” që transmetohet në “Top Channel”, gazetari Gjergj Stefa ka ndarë një mendim tjetër sa i përket Shqipërisë sulmuese që të gjithë kërkojmë.
“Për mua që një ekip të luajë shumë në sulm, të argëtojë dhe të fitojë, duhet të jetë një ekip i madh. Kam frikë se duke kërkuar një Shqipëri të tillë, argëtuese dhe sulmuese, do të na kushtojë rezultatin. Unë nuk kam qenë dakort për zgjedhjet e Silvinjos, formacionin e Silvinjos dhe për shumë gjëra të tjera në lidhje me këtë trajner. Por ama më duhet ta pranoj se nëse Silvinjo do të ishte në Finlandë, Shqipëria nuk do të humbte. Kjo pasi ka tregues në ndeshje më të vështirë, në transferta më të vështira si në Ceki apo Gjeorgji, Shqipëria ka dalë me pikë. Lojtarët tanë luajnë në kategori të dyta dhe të treta, kështu që nuk mund të kërkojmë dhe lojë të bukur sulmuese dhe pikë”, tha Stefa. /Sport Ekspres/