Sidibe ndihet vlonjat: Qytet i bukur, ushqim super

Mesfushori nga Guinea është një nga zbulimet e sezonit në Superiore. Vetëm 21 vjeç, që tani lojtar kyç për Flamurtarin: “Dua të qëndroj në Vlorë, kam gjetur edhe të dashur këtu”

Elton Nika

Mund të quhet pa frikë një ndër zbulimet e Superiores këtë sezon, sepse asnjë lojtar debutues nuk ka pasur këtë impakt, në një kampionat goxha të ashpër e të vështirë, ku presioni është i madh dhe askush nuk ka durim të presë e të shohë talentet. Durimin e ka pasur një që edhe mbiemrin e ka të tillë, Duro, sepse trajneri i Flamurtarit ka bërë sërish një mrekulli sportive, duke ndërtuar një skuadër fituese nga zero. Natyrisht, të rinjtë janë gjithnjë në fokusin e Duros, i cili nuk e refuzoi mundësinë që të kishte në skuadër dy yjet e Besëlidhjes sezonin e shkuar, Sidibe e Kamara. “Të vijnë – tha Duro, – le t’i shohim. Nëse vlejnë, i mbajmë”. Një vështrim i mjaftoi Duros për ta kuptuar se bëhej fjalë për dy lojtarë mjaft të talentuar dhe i tha Sinan Idrizit që dy afrikanët duhej të qëndronin. Fillimisht në huazim, por të drejtën e blerjes Flamurtari e ka dhe do ta ushtrojë shumë shpejt. Në Shqipëri pakkush arrinte t’i dallonte, sepse fillimisht shkuan te Luzi, në grup me disa të huaj të tjerë, ndërsa më pas te Besëlidhja.

Të pandashëm Kamara e Sidibe, aq sa njerëzit nuk e kuptonin cili ishte sulmuesi e cili mesfushori, cili shënonte e cili mbronte. Tani i njohin mirë, tifozë e gazetarë, sepse Sidibe është një nga ata që bien menjëherë në sy: lojtar shtatlartë e elegant, një digë para mbrojtjes së Flamurtarit, i aftë të shkojë rregullisht në sulm, me të veçantën se dallohet menjëherë edhe nga flokët e tij të gjata dhe vende-vende me ngjyrë, kryesisht të verdhë. 19 ndeshje në formacion në kampionat, një gol kualifikimi ndaj Partizanit në kupë, Sidibe tashmë është kthyer në një vlonjat të vërtetë, sepse është ambientuar shumë mirë në qytetin bregdetar, ku e duan dhe e respektojnë, siç e kanë zakon vlonjatët, që kur u hyn në zemër një lojtar që nuk është nga Vlora, e duan njësoj si vendasit.

NGA GUINEA NË VLORË – Mesfushori i Flamurtarit tregon eksperiencën e tij shqiptare: “Këtu në Shqipëri e kam filluar te Luzi. Kam qëndruar një muaj dhe kam kaluar te Besëlidhja që më bleu. Kam pasur eksperiencë edhe në vendlindjen time, në Guine. Ndihem shumë mirë në Vlorë, pasi nga Besëlidhja te Flamurtari është një hap i madh. Tani luaj në Superiore dhe jam mjaft i lumtur si kanë shkuar gjërat deri më tani”.

E papritur, por Sidibe është kthyer shumë shpejt në lojtar të rëndësishëm në Vlorë: “Ndihem shumë mirë që jam një nga lojtarët e rëndësishëm. Falënderoj trajnerin Duro për këtë. Duro ka qenë një nga trajnerët më të mirë që më ka stërvitur në karrierën time. Renditja? Jemi të dytët, renditja nuk gënjen, Skënderbeu është ekipi më i fortë dhe pas tij jemi ne. Kemi lënë shumë pikë rrugës, herë për fat të keq e herë për arbitrimet, ndërsa na ka mërzitur pak barazimi në Durrës. Shpresoj që Zoti të na ndihmojë për këtë ndeshje të radhës, uroj që të shënoj sa më shumë, sepse kam shënuar vetëm në kupë”. E ardhmja e Sidibes duket kuqezi, për disa arsye: “Besoj do të qëndroj këtu në Vlorë, pasi më pëlqen Flamurtari. Kam besim se do ta mbyllin në vendin e dytë. Vlora është një qytet shumë i bukur dhe tifozët janë të zjarrtë. Atmosfera është shumë e ngrohtë, ndihem i lirshëm në qytet, në stërvitje dhe kudo tjetër. Jam mjaft mirë, njerëzit këtu nuk janë racistë, edhe shoqen e kam gjetur në Vlorë. Më pëlqen shumë qyteti dhe ushqimi është i mrekullueshëm. I preferuari? Më pëlqen shumë byreku me mish”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online