Shunjeviç: Te Kukësi gënjejnë, as rrobat s’i ka marrë dot

Te Kukësi po provojnë me çdo mënyrë të dalin të fituar kundrejt mesfushorit Millosh Kërkotiç, malazezet të afruar në verë nga Mladost dhe që pas ndeshjes me Luftëtarin i kanë komunikuar që nuk bën më pjesë në planet e klubit. Mesfushori nuk u ftua as në fazën përgatitore që kampionët në fuqi zhvilluan në Turqi, ndërkohë që tani te verilindorët pretendohet se ai nuk është paraqitur në stërvitje, çka do të përkthehej edhe në gjoba të tjera për futbollistin. “Kërkotiç nuk është paraqitur këtu në përgatitje me ne. Zyra jonë juridike po merret me këtë çështje”, kështu u shpreh një ditë më parë drejtori sportiv Nderim Nexhipi në “RTSH Sport”.
REAGIMI
Menaxheri Kërkotiç, Aleksandër Shunjeviç, i kontaktuar nga “Sport Ekspres” ka deklaruar se te Kukësi gënjejnë, madje zbulon edhe detaje të tjera që kanë të bëjnë me largimin e klientit të tij nga verilindorët. “Kukësi gënjen, fare e thjeshtë. Lojtari nuk është pranuar nga Kukësi, edhe pse ka dashur të bashkohet me skuadrën. I është komunikuar nga menaxheri i klubit, Naim Halili, që është i panevojshëm për klubin dhe nuk duhet të paraqitet në stërvitje, madje as në ambientet e klubit. Më e turpshmja është që edhe në shtëpinë e tij me qira përfaqësues të klubit janë futur dhe kanë ndërruar edhe bravën, ndërsa Kërkotiç nuk ka marrë dot as rrobat e tij. Futbollisti nuk ka interes të mos paraqitet, sepse nuk ka ku shkon, duke qenë se ka luajtur për dy klube këtë sezon, ndaj pretendimi i Nexhipit nuk qëndron. Ne kemi propozuar vetë që futbollisti të kthehet, për të mos qëndruar deri në verë pa ekip, por ata kanë refuzuar”, thotë fillimisht Shunjeviç.

E ARDHMJA

Menaxheri i futbollistit flet edhe në lidhje me atë që po ndodh dhe si do të procedohet në vijim. “Federata Shqiptare na ka zvarritur, herë shtyn ballafaqimin, herë kërkon praninë e futbollistit. Ne përsëri do të paraqitemi dhe do të kërkojmë të drejtën tonë, pasi kemi kontratat e firmosura ligjërisht. Nuk e dimë çfarë kontratash janë depozituar në Federatë, sepse e kemi mësuar historinë e kontratave që bën Kukësi, ka bërë të njëjtën gjë edhe me Izair Eminin, edhe me lojtarë të tjerë. Megjithatë, të shohim kush do të fitojë, në FSHF apo në FIFA. Më vjen keq vetëm për Kërkotiç, sepse është futbollist cilësor dhe e dëmton shumë karrierën e tij të mbetet pa ekip deri në verë. Nuk ka pasur oferta të mira në vendet lindore apo skandinave që nisin së shpejti, ndaj nuk ka ende ndonjë alternativë, duke llogaritur se do ta mbyllte sezonin te Kukësi”, ka përfunduar Shunjeviç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online