I larguar përfundimisht nga Kukësi me 22 gola të lëna si trashëgimi në sezonin e shkuar, Vasil Shkuartaj është në kërkim të aventurës së radhës. Tirana dhe Partizani do të hynin në derbin e merkatos në momentin kur u mësua se sulmuesi vlonjat nuk do të rinovonte me verilindorët, megjithatë nga kjo “përballje” jashtë fushe nuk do të kishte fitues, pasi vetë lojtari zgjodhi t’i mbyllte derën të gjitha klubeve të Superiores.
Dëshira e Shkurtajt është të hapë një derë në një kampionat më të fortë të futbollit, ndërsa zbulon në një prononcim për “Supersport” se është pranë firmës, pavarësisht se nuk nxjerrë në dritë emra ekipesh.
“Po stërvitem individualisht me sa kam mundësi. Nuk është njësoj, futbollisti duhet të stërvitet me top. Gjithë kohën që kam qenë në Greqi kam bërë stërvitje individuale, ndërsa kur kam ardhur në Shqipëri jam stërvitur me ekipin e Elbasanit. Më ka ndihmuar shumë dhe dua t’i falenderoj.
Jam në diskutim me disa ekipe. Besoj shumë shpejt do të firmos me një ekip. Është e vërtetë që kam pasur kontakte me disa ekipe në Shqipëri, por në fund nuk ka ardhur akordi. Plus që dëshira ime është të luaj jashtë dhe kjo është një arsyeja pse kam marrë këtë vendim, të mos firmos në Shqipëri.
Patjetër që e kam ndjekur Kukësin, në të dyja ndeshjet. U gëzova shumë që u kualifikuan. Me Volfsburgun dihet që niveli është shumë i madh. Mbetet një ndeshje pozitive, pavarësisht se humbën“, ka thënë Vasil Shkurtaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/