Shumë fjalë, por asgjë! Vllaznisë së re nuk i dihet fati, zbehet pista Lika

0

Vllaznia u duk se kishte nisur punën fuqishëm me administratorin e ri, Suad Lici dhe drejtorin teknik, Alban Hasani. Fillimisht u mendua se trajner do të ishte Ervis Kraja, ndërsa më vonë u përfol arritja e akordit me Hasan Likën. Në Shkodër betohen për vërtetësinë e këtyre lajmeve, por fjalët i merr era, veprat vlejnë.

Momentalisht, skuadra shkodrane është në fazën 0. Nuk ka një zyrtarizim të administratorit dhe drejtorit teknik, ashtu si dhe trajnerit. Ekipi ende nuk është grumbulluar dhe nuk dihet se kur dhe nën drejtimin e kujt do të zhvillohet seanca e parë stërvitore.

Akademia e Vllaznisë nis sot stërvitje, ndërsa skuadra e madhe nuk dihet. Drejtuesit e rinj hedhin ndonjë fjalë në ajër, por në kohën kur nuk kanë marrë ende atë detyrë nuk mund të flasin shumë. Megjithatë, burime të afërta me ta bëjnë me dije se pista e trajnerit Hasan Lika është zbehur pak. Ku i dihet, ndoshta shkodranët janë kujtuar se Lika nuk është nga qyteti verior. Lokalizmi mbi të gjitha!

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.