Shtutgarti është një ndër klubet më aktive në merkato në Bundesligën gjermane, sepse në ditën e fundit të qershorit ka mbyllur tre operacione të rëndësishme, dy në hyrje e një në dalje. Bëhet fjalë për tre mesfushorë.
Mesfushori Gonzalo Castro është blerë nga Dortmundi për 5 milionë euro, që mund të shkojë deri në 7 miloionë euro me bonus. 31-vjeçari ka luajtur rregullisht që kur ka shkuar te Dortmundi në vitin 2015 (11 milionë euro nga Leverkuzeni), por sezonin e fundit luajti vetëm 19 ndeshje në Bundesligë dhe tashmë vendos të kalojë në Shtutgart, ku do të jetë lojtar kyç në mesin e fushës.
Po ashtu, Shtutgarti ka përforcuar rolin e mesfushorit ofensiv, sepse ka rikthyer në shtëpi Daniel Didavin nga Volfsburgu, ku iku dy vjet më parë. 28-vjeçari është marrë falas dhe sezonin e fundit ishte ndër më të mirët te Volfsburgu, me 9 gola në 30 ndeshje.
Ndërkaq, Shtutgarti ka arkëtuar 10 milionë euro duke shitur sulmuesin anësor Daniel Ginçek te Volfsburgu. Lojtar cilësor, Ginçek pati rritje të jashtëzakonshme në pjesën e dytë të sezonit të fundit, por oferta e Vofslburgut ishte shumë joshëse, sepse Shtutgarti më parë kishte shpenzuar edhe 15 milionë euro për të blerë mbrojtësit anësorë Pablo Mafeo (9 milionë nga Man Siti) dhe Borna Sosa (6 milionë nga Dinamo Zagrebi).