Vllaznia në Kategorinë e Parë, e hënë koha për gjyqe në Shkodër dhe të gjithë po flasin, akuzojnë, heqin fajin nga vetja apo kërkojne të nisë rindërtimi. Ndërkaq, shkodranët që nuk luajnë në Shkodër nuk kanë gisht në këtë rrënim dhe një ndër ta është Ndriçim Shtubina. U largua me polemika nga Shkodra verën e shkuar, firmosi për Kukësin, por në janar ndryshoi ekip dhe shkoi te Laçi, sepse në Shkodër nuk ia hapën derën. Futbollisti i njohur, i ftuar në emisionin “Sport Arena” në “Rozafa TV”, ka folur për gjithçka, nga sezoni aktual deri tek e shkuara që ende i dhemb. Shtubina ka zbuluar se çfarë i tha presidenti i Laçit para ndeshjes me Kamzën, finalja e fituar nga Laçi, që i dha shpresë Vllaznisë.
FITORJA NË KAMZË – “Para atij takimi kam pasur shumë emocione dhe duke parë edhe rëndësinë e ndeshjes, që fuste edhe Vllazninë në lojë, unë personalisht kam pasur takim me presidentin Pashk Laska, i cili më tha: ‘Mos mendo për Laçin, por mendo vetëm për Vllazninë. Luaj lojën që di të luash dhe mendo për Shkodrën, sepse unë e di se si luan ti dhe çfarë ke dhënë për Laçin”. Më është shprehur si burrat kështu. Kur m’i ka thënë ato fjalë unë jam prekur shumë. Kam marrë edhe Nikën e Fangajn dhe kam folur me ta, se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne, sepse në Shkodër do të na e përmendin gjithë jetën këtë ndeshje. Besoj se ata janë prekur nga këto fjalë dhe kanë dhënë maksimumin, madje ka qenë ndeshja më e mirë për ta. Fati deshi që fituam, nuk duhet harruar që luanim edhe për vete”.
RËNIA E VLLAZNISË – “Njerëzit ndoshta nuk e besojnë, por kam qarë, sepse të luash 12 vite në Shkodër dhe të bjerë Vllaznia nga kategoria nuk është një gjë normale për njerëzit. Ata ndoshta nuk besojnë, ndoshta nuk duan ta dinë, por shpirti ta, ndaj më vjen keq. Unë kur jam larguar nga Vllaznia nuk e kam bërë për lekë, as për të marrë kontrata më të mira se në Shkodër, por gjithsesi njerëzit duhet të besojnë. Ka njerëz që flasin keq për mua. Kur nuk të njohin nuk duhet të ndodhë ashtu. Jam një njeri që më njohin të gjithë dhe duhet të reagojnë. Megjithatë, jam krenar për atë që kam dhënë për Vllazninë dhe për veten time”.
AKUZAT NDAJ GJOKËS – “Kjo ka nisur pas një deklarate të tij kur është pyetur në janar për emra të merkatos dhe emri im është anashkaluar. Si ka mundësi që një trajner anashkalon një lojtar, një ish-kapiten të asaj skuadre, pa pasur një marrëdhënie të keqe me të? Unë e kam njohur shumë mirë atë person dhe shumë njerëz në janar kur kam folur më kanë kritikuar, më kanë paragjykuar që ky ka ikur nga Vllaznia, ndaj po flet keq për stafin dhe lojtarët që po vijnë. Kam thënë se ky trajner të ketë kujdes me lojtarët që po sjell, sepse gjysma nuk janë për Vllazninë. Fjalët e mia janë të dokumentuara. Njerëzit ndoshta nuk kanë besuar. Po shihja lojtarët dhe i kam njohur, pasi në kampionatin shqiptar luajnë. Ka disa vite që luaj këtu dhe të paktën Gjoka nuk ka luajtur sport sa unë. Unë ndoshta mundem ta njoh më shumë futbollin se ai. Nuk mundet të bëjë çfarë të dojë, sidomos me Vllazninë, që është më e madhe se kushdo. Jam kurioz kush e ka sjellë dhe kush i ka dhënë aq dorë të lirë? Formacioni nuk ndryshohej asnjë ndeshje, edhe pse Vllaznia humbiste. Prit se po fitojmë, prit se po shpëtojmë. Kush është Gjoka me e hedh Vllazninë në kategori të dytë?Nuk jam dakord as me drejtuesit që e kanë lënë kaq të lirë. I janë plotësuat kushte, rroga 7 milionë lekë. Kush i merr aq? Nuk i marrin as në Korçë. Vjen Gjoka i merr në Shkodër. Ne kemi luajtur edhe pa rroga. Ku dështoi Gjoka? Mbrojtësi i majtë i Vllaznisë ka humbur 6 ndeshje, prap duhet të luajë ai? Unë nëse luaj keq do dal jashtë, vetë do ja kërkoj trajnerit. Ishte Cungu dhe sa bënte një humbje e kritikonin, çfarë duhet t’i bëjmë tani Gjokës që e hodhi në të dytën? Këtij i janë plotësuar të gjitha kushtet, 2-3 ditë grumbullim para ndeshjes”.
DY MUAJ PA PAGA – “Nuk jam dakord me disa lojtarë, të paktën për dëshirën. Besoj se lojtarët se kanë as burrninë për t’i kërkuar lekët. Nëse i kërkojnë, kjo tregon që nuk kanë gjak, ndjenja për tifozët, personalitet. Në këtë situatë, unë jam i gatshëm – pavarësisht se kam kontratë me Laçin dhe do të luaj në Evropë – që nëse e shohin të nevojshëm kontributin tim, jam i gatshëm të kthehem edhe pa lekë. E them me burrni dhe jo për falsitet. Nëse e shohin se kam forcë për ta ngjitur Vllazninë në Superiore, unë jam i pari që vij”.
LAÇI DHE EUROPA – “Jam në kontratë me Laçin, pas kupave të Europës duhet të flas me presidentin. Në futboll kurrë nuk i dihet. Kupa? Ishte një gabim i arbitrit, pasi shihej ajo penallti. Duke parë edhe lojën, Skënderbeu vetëm në disa gjëra të vogla dominoi me ne, me ndonjë rast spontan. Loja ishte e barabartë, për të mos thënë se Laçi ishte shumë më këmbëngulës se Korça. Gjithsesi, futbolli kështu është, presidenti është i kënaqur me paraqitjen e skuadrës. Objektivi u arrit dhe besoj se idetë e tjera janë të qarta. Atje është gjithçka ‘OK’, ndihem shumë mirë, sidomos nga ana e respektit. Aty trajneri e presidenti marrin edhe mendimin tim, nuk e kanë për ulje të më pyesin si ndihem, si është skuadra, si është gjendja, sepse vitet e eksperiencës që kam ndoshta më ndihmojnë të jap një mendim, qoftë nëse luaj, qoftë nëse nuk luaj. Në Shkodër ka munguar kjo”.
FANGAJ SI RIVAL NË KRAH – “Është një lojtar i mirë, një lojtar luftarak. Unë nuk e kam njohur me thënë të drejtën, aty e kam parë. Nganjëherë e ngacmoj, sepse jemi konkurrentë për mbrojtës të djathtë. Ai i merr këshillat e mia për mirë dhe besoj se do të rritet me fjalët që i them unë. Është një lojtar luftarak, një lojtar që vrapon shumë, aq më tepër që është djalë i mirë dhe me sedër”.