Shtrimi i tapetit të ri në stadiumin “Roza Haxhiu” po ecën me ritme mjaft të shpejta. Firma që po merret me shtrimin e tapetit të ri, e filloi këtë proces ditën e premte dhe deri tani është shtruar rreth 70% e sipërfaqes së fushës. Në bazë të ecurisë së punës, planifikohet se të enjten mund të përfundojë shtrimi i tapetit të ri në stadiumin e Lushnjës. Me ritëm të përshpejtuar po vazhdojnë punimet edhe për rikonstruksionin e ambienteve të brendshme të stadiumit dhe të tribunës qendrore të tij. Pas shtrimit të tapetit, do të fillohet nga puna për rrethimin e brendshëm të fushës dhe të shkallëve të stadiumit. Por, pavarësisht këtij përshpejtimi, fatkeqësisht të vonuar të punimeve, është faktuar se një pjesë të mirë të ndeshjeve si pritëse Lushnja do t’i zhvillojë në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit.