Herve Renard mori një vëmendje të madhe në këtë Kupë Bote. Trajneri francez i befasoi të gjithë, duke mposhtur Argjentinën në ndeshjen e parë të fazës së grupeve. Arabia Saudite mori një fitore 2-1 kundër amerikano-jugorëve, çka shtangu këta të fundit dhe mbarë opinionin sportiv. Renard mori meritat kryesore, teksa diti të motivonte lojtarët në mënyrën e duhur. Madje edhe dy paraqitjet e tjera të Arabisë Saudite ishin mjaft pozitive, duke qenë në garë deri në fund për të kaluar grupin.
Francezi e bëri të qartë se tashmë e ndjen veten gati për të marrë drejtimin e Kombëtareve më të mëdha. Një alternativë për të ardhmen e tij është edhe Polonia. Trajneri Michniewicz nuk bindi në krye të pankinës dhe kontrata e tij përfundon në fund të këtij muaji. Komentatori i “Polsat Sport” ka zbuluar për “Nocne Gadek” se Renard është gati të marrë drejtimin e Kombëtares së Polonisë.
“Tema e Herve Renard-it është luajtur. Di nga burime të mia se ai është rekomanduar dhe se do e merrte me kënaqësi detyrën. Sigurisht që me kushtet e duhura financiare”, ka zbuluar Bozedar Iwanow-i./Halit Delibashi-Sport Ekspres/